Kërcënimet nga një nxënës në shkollën fillore “Stiv Naumo” në Manastir shkaktuan panik te nxënësit dhe prindërit, pasi në shkollë janë gjetur fletëza me mesazhe për rrezikim të sigurisë. Sipas prindërve, nxënësi edhe më parë kishte dërguar kërcënime dhe mesazhe fyese përmes rrjeteve sociale dhe jashtë shkollës, ndërsa kërcënimi i fundit përmbante edhe datë konkrete. Rasti është denoncuar në polici dhe në Qendrën për Punë Sociale, ndërsa nxënësi përkohësisht nuk do ta ndjekë mësimin me prani fizike, por online.

Drejtori i shkollës, Aleksandar Piskaçev, siguron se siguria e nxënësve dhe e të punësuarve nuk është e rrezikuar dhe u bëri apel prindërve të mos përhapin spekulime. Nga shkolla thonë se kanë ndërmarrë të gjitha masat që kanë në dispozicion, ndërsa institucionet kompetente po e zbardhin rastin.