Papa Leoni XIV ka deklaruar se civilët në Ukrainë po përballen me vuajtje të mëdha si pasojë e sulmeve të vazhdueshme dhe luftës së zgjatur. Duke folur të dielën pas lutjes së përjavshme Angelus, Papa theksoi se konfliktet e vazhdueshme po e rëndojnë gjithnjë e më shumë jetën e popullatës civile, veçanërisht në kushtet e dimrit të ashpër.

“Armiqësitë e zgjatura kanë pasoja gjithnjë e më të rënda për civilët”, u shpreh Papa Leoni XIV, duke nënvizuar se sulmet po i lënë shumë familje të ekspozuara ndaj të ftohtit dhe mungesës së kushteve bazë për jetesë.

Kreu i Kishës Katolike bëri thirrje për intensifikimin e përpjekjeve ndërkombëtare me qëllim ndalimin e luftës dhe lehtësimin e vuajtjeve të popullit ukrainas, duke theksuar se paqja mbetet e vetmja rrugë për t’i dhënë fund krizës humanitare.