Mungesa e hapësirave për parkim vazhdon të jetë problem për qytetarët në Çair, veçanërisht në zonën e Sheshit “Skënderbeu”.
Qendra Ndihmëse është një prej organizatave, të cilat me mbështetjen e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore IFES, monitorojnë realizimin e premtimeve të dhëna gjatë Zgjedhjeve Lokale në më shumë komuna në Maqedoni.
Kryetari i kësaj oraganizate, Ridvan Mustafa për TV21 deklaroi se projekti për parkingun te sheshi “Skënderbeu” është në fazë dokumentacioni. Sipas tij, projekti parashikon dy nivele nëntokësore për parkim, ndërsa hapësira mbi tokë do të shfrytëzohet për lëvizje të lirë të këmbësorëve.
“Qeveria ka dhënë pëlqimin e këtij projekti në vitin 2025. Ndërsa për momentin janë vetëm në faza dokumentuese. Neve këtë pjesë e monitorojmë, mirëpo pjesa jonë e këtij projekti është të bëjmë një monitorim të këtij procesi, sipas të gjitha akteve, do të jemi në komunikim me komunën e Çairit”, tha Ridvan Mustafa.
Nga Komuna e Çairit informojnë se procedurat e nevojshme administrative dhe teknike janë para përfundimit. Pritet që ndërtimet e parkingut te sheshi “Skënderbeu” pritet të fillojnë vitin e ardhshëm.
“Aktualisht dokumentacioni i nevojshëm është në fazën përfundimtare të përgatitjes, ndërsa procedura për marrjen e lejes për ndërtim është në vijim.
Sipas dinamikës së paraparë, fillimi i realizimit të projektit planifikohet gjatë vitit 2027. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme administrative dhe teknike, opinioni do të informohet me kohë për detajet e projektit dhe fazat e realizimit të tij”, tha Komuna e Çairit.
Përndryshe, në zgjedhjet lokale kryetari i komunës së Çairiti Izet Mexhiti premtoi se do të ndërtohen 800 vende parkimi në 12.500 m².
—
Monitorimi i zbatimit të premtimeve zgjedhore dhe masave të qeverisë lokale është aktivitet që realizohet në kuadër të projektit zviceran “Programi për Mbështetjen e Zgjedhjeve”, i zbatuar nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES). Përmbajtja dhe qëndrimet e shprehura këtu nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimet e Qeverisë së Zvicrës apo të IFES-it.
