“Parqe dhe Gjelbërim”, “Florakom” dhe “Luna” në protestë, kërkojnë pagat

Gazetar: Avni Tahiri

Bulevardi i Ilindenit në Shkup, edhe sot u bllokua nga punëtorët e ndërmarrjes “Parqe dhe Gjelbërim”, të Qytetit të Shkupit dhe kompanive të tyre “Florakom” dhe “Luna”.
Me mbishkrimet “Mjaft punojmë për gjevrek dhe ujë”, që mbanin në pankarta, ata kërkuan shlyerjen e borxhit ndaj tyre me pagat e pa paguara të muajit gusht dhe që nga sot, sipas tyre, kanë ngelur edhe pa sigurim shëndetësor.

“Ne prisnim që pagat e punonjësve të paguheshin dje. Por, për fat të keq, pagat nuk janë paguar dhe që nga sot, punonjësit do të mbeten pa sigurim shëndetësor dhe të gjithë ata që kanë probleme shëndetësore nuk do të jenë në gjendje të marrin terapinë e tyre. Fatkeqësisht, kemi kolegë që kanë probleme onkologjike dhe ata nuk mund të trajtohen tani”, deklaroi Stojançe Kashikovski – Kryetari i Sindikatës së Punonjësve.

Nga sindikata thonë se ka kërkuar takim me udhëheqësit e kompanisë, por thonë se askush nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre.

Punëtorët paralajmëruan bllokimin edhe të rrugëve të tjera në Shkup, nëse ditët në vijim nuk u shlyhet detyrimi nga ana e Ndërmarrjes. /Alsat.mk

The post “Parqe dhe Gjelbërim”, “Florakom” dhe “Luna” në protestë, kërkojnë pagat appeared first on Alsat.