Ekipi i Partizanit në volejboll për meshkuj është shpallur sot kampion i Shqipërisë për sezonin sportiv 2025-2026, titulli nr.18 në histori, i treti radhazi. Në sallën sportive në Farkë, skuadra kryeqytetase mundi 3-2 Skënderbeun në finalen e tretë play off, duke fituar 3-0 serinë e takimeve.

Një triumf i merituar i skuadrës së trajnerit Ylli Tomorri, që e komandoi kampionatin dhe në fund arriti të ngrejë lart trofeun. Duket se “pengesa” më e fortë për Partizanin ishte Erzeni, të cilin të “kuqtë” e eliminuan me shumë vështirësi në gjysmëfinale.

Ndërsa këto finale ishin disi më “komode” për kryeqytetasit, që falë përvojës arritën të mposhtin Skënderbeun, që luftoi deri në fund, por pa mundur të fitojë dhe sërish është nënkampion i vendit. Finalja e sotme u fitua 3-2 nga Partizani (25-16, 25-27, 25-21, 16-25, 15-8).

Edhe pse Partizani kaloi dy herë në avantazh skuadra e Skënderbeu arriti po dy herë të rikuperojë, duke bërë që fituesi të caktohet në setin final. Partizani bën një rikuperim fantastik pas një starti zhgënjyes, duke fituar setin 15-8 pas 2 orësh e 20 minuta, duke nisur festën e titullit.

Superliga-Meshkuj, finale play off

Nd.1, Partizani – Skënderbeu, 3-1

Nd.2, Skënderbeu – Partizani, 2-3

Nd.3, Partizani – Skënderbeu, 3-2 (3-0)

The post Partizani mbron kurorën, shpallet kampion i Shqipërisë në volejboll për meshkuj appeared first on Telesport.