Pas Gavril Bubevskit, reagon edhe prokurorja Josifoska: Shpifjet e Lejla Kadriut synojnë diskreditimin e punës sonë

Pas reagimit të djeshëm të prokurorit Gavril Bubevski për shpifjet e bëra nga avokatja Lejla Kadriu, sot ka reaguar edhe prokurorja Elizabeta Josifoska, e cila gjithashtu ishte pjesë e Prokurorisë Speciale Publike tashmë të shuar.

Fibau
​Reagimin e saj po e përcjellim të plotë:
​”Avokatja Lejla Kadriu, në emisionin ‘Veçernoto shou na Bogdan Ilievski’ (Shou i mbrëmjes i Bogdan Ilievskit), të transmetuar më 06.02.2026 në TV Alfa, ka shprehur një varg të pavërteta, gënjeshtrash dhe shpifjesh në lidhje me veprimet e mia si prokurore publike në Prokurorinë Speciale Publike, në lidhje me veprimet e prokurorëve të tjerë të asaj prokurorie dhe në lidhje me punën e të gjithë Prokurorisë Speciale Publike.

​Konsideroj se këto deklarata të rreme dhe shpifëse janë bërë me qëllim që të dëmtohet nderi dhe reputacioni im profesional, por edhe të diskreditohet puna e të gjithë institucionit të Prokurorisë Speciale Publike.

​Çdo gjë që avokatja Kadriu ka deklaruar në lidhje me gjoja shpenzimin e 1 milion eurove për 2.5 muaj në vitin 2015, është gënjeshtër dhe shpifje. E dhëna se sa para janë shpenzuar në këtë periudhë përmbahet në Raportin e parë për punën e PSP-së, i cili është publikuar zyrtarisht më 15.03.2016 dhe i është dorëzuar Kuvendit të RM-së dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Është fakt i njohur se janë shpenzuar 13,542,671.00 denarë, ndërsa mjetet e pashpenzuara në vlerë prej 49,877,757.00 denarë, më datë 31.12.2015 janë kthyer në Buxhetin e RM-së. E dhëna për mjetet e shpenzuara gjendet edhe në llogarinë përfundimtare të PSP-së për vitin 2015, të dorëzuar në institucionet kompetente.
​Kadriu ka shprehur një varg shpifjesh dhe gënjeshtrash të dukshme edhe në lidhje me trajtimin e lëndës së njohur për publikun me emrin ‘Puç’. Se çdo gjë që ajo ka thënë është gënjeshtër dhe e pavërtetë në lidhje me këtë lëndë, është e qartë nga fakti se lënda me të gjitha dëshmitë është dorëzuar nga Gjykata Themelore Penale Shkup te PSP-ja kah fundi i qershorit të vitit 2016. Në atë kohë, Lejla Kadriu nuk ishte më prokurore publike në PSP, andaj shtrohet pyetja se si ka mundur ajo ta shohë lëndën ‘në ndonjë qoshe, të pa hapur dhe të paketuar në folie transparente’.
​Lejla Kadriu nuk u ndal vetëm me këtë, por me qëllim të diskreditimit të të gjitha lëndëve të Prokurorisë Speciale Publike, ka shprehur gënjeshtra dhe të pavërteta edhe në lidhje me pranimin e materialeve nga përgjimet e paligjshme nga partia politike LSDM dhe trajtimin e mëtejshëm të tyre në PSP.
​Unë nuk kam qenë e pranishme gjatë pranimit të materialeve më 30.12.2015, por mënyra e ruajtjes dhe trajtimit të tyre është e përshkruar në raportin e parë të përmendur të PSP-së. Është kryer një regjistrim i detajuar i të gjitha materialeve të pranuara nga një komision në të cilin isha edhe unë anëtare, ndërsa procesverbali i regjistrimit të kryer është dorëzuar në gjykatë si dëshmi në një nga lëndët e PSP-së.

​Për shkak të gënjeshtrave dhe shpifjeve të paraqitura, sot kam dërguar një kërkesë me shkrim për kërkimfalje drejtuar avokates Lejla Kadriu. Nëse nuk marr kërkimfalje, brenda afatit ligjor do të ngre padi për shpifje në gjykatën kompetente”, deklaron prokurorja.