Këngëtarja amerikane Ariana Grande do të bëjë një pauzë nga paraqitjet publike pasi të përfundojë turneun e saj “Eternal Sunshine” muajin e ardhshëm. Për këtë arsye, ajo nuk do të jetë më pjesë e shfaqjes muzikore “Sunday in the Park with George”, e planifikuar të vihet në skenë në Londër në vitin 2027, ka shkruar BBC.

Përfaqësuesi i artistes ka thënë për revistën People se Grande “do të tërhiqet për një periudhë nga vëmendja publike”, pasi ekspozimi i vazhdueshëm ka sjellë “kritika dhe gjykim të pandërprerë nga publiku”.

“Ajo mezi pret ta përfundojë turneun në mënyrën më të mirë, e shëndetshme dhe e lumtur, e më pas të marrë një pushim të merituar nga puna dhe paraqitjet publike, të cilat kanë sjellë gjykime dhe vëmendje të vazhdueshme ndaj saj”, ka thënë përfaqësuesi i këngëtares.

Në vitet e fundit, pamja fizike dhe gjendja shëndetësore e Grandes kanë qenë shpesh objekt spekulimesh. Diskutimet u shtuan edhe më shumë pas publikimit të albumit të saj të ri “Petal”, të premten.

Në videoklipin e një prej këngëve të albumit, Grande interpreton një artiste që gjatë audicioneve dëgjon vazhdimisht komente se “nuk je mjaftueshëm e mirë”, se është “shumë e dëshpëruar”, se “duhet të bëjë ndërhyrje estetike” dhe më pas se “ka bërë tepër ndërhyrje”. Në fund të videos, personazhi i saj përballet simbolikisht me kritikët.

Përfaqësuesi i artistes ka theksuar gjithashtu se turneu është fizikisht shumë kërkues.

“Ajo realizon një shfaqje që kërkon shumë energji dhe përgatitje fizike. Pavarësisht kësaj, performon me sukses dhe në nivel shumë të lartë çdo natë”, u shpreh ai.