Prokuroria në Koçan kërkoi paraburgimin e Iva Mihajllovës për shkak të rrezikut të arratisjes, pasi ajo u largua nga vendi dhe shkoi në Bullgari. Gjykata duhet të vendosë për masën, pas së cilës mund të pasojë shpallja e një fletarresti ndërkombëtar përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Mihajllova, e akuzuar për një aksident trafiku me pasoja fatale, dyshohet se e ka kaluar kufirin maqedono-bullgar pa u regjistruar.
Pritet të përcaktohet se si është larguar nga vendi dhe nëse ka pasur lëshime apo përfshirje të zyrtarëve.
Ministri Toshkovski thotë se Mihajllova është larguar ilegalisht nga shteti dhe se do të shpallet fletarrest ndërkombëtar.

“Sipas informacioneve që kam, fletarresti ndërkombëtar do të shpallet sot. Prokuroria Publike kërkoi caktimin e masës së paraburgimit. Nëse gjykata merr një vendim të tillë, Ministria do ta procedojë menjëherë përmes kanaleve që kemi për bashkëpunim ndërkombëtar. Shpresoj që fqinji ynë lindor të tregojë gatishmëri për t’i respektuar rregullat ndërkombëtare, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, si dhe gjithçka që nënkupton një shtet normal evropian, siç pretendon të jetë Bullgaria dhe si pjesë thelbësore e familjes së Bashkimit Evropian”, deklaroi Toshkovski.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot e thirri ambasadorin bullgar në vend, Zhelazko Radukov, lidhur me zhvillimet që kanë të bëjnë me Iva Mihajllovën.
Në takim iu përcoll qëndrimi se mënyra se si ajo u prit në Sofje, përfshirë paralajmërimet për pritje në nivel të lartë, përbën provokim dhe dëmton përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Njëkohësisht, u theksua se një veprim i tillë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin juridik të shtetit tonë dhe dërgon një mesazh seriozisht të gabuar sa i përket respektimit të procedurave gjyqësore dhe parimit të barazisë para ligjit. Ambasadorit iu bë e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme do të ndërmarrë hapa përkatës për të informuar institucionet ndërkombëtare, veçanërisht institucionet e Bashkimit Evropian dhe Këshillin e Evropës”, njoftuan nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Ndërkaq, pas mbërritjes në Bullgari, Mihajllova reagoi përmes mediave bullgare, duke pretenduar se në Maqedoni ishte shtypur dhe keqtrajtuar për shkak të vetëdijes së saj kombëtare bullgare. Ajo deklaroi se autoritetet maqedonase nuk e kishin lejuar të shkonte për trajtim të përshtatshëm mjekësor në Bullgari, pasi gjendja e saj shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm.