Gazetar: Suad Bajrami
Na duhet prokuror i ri shtetëror. Kështu deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski në intervistën për Alsat lidhur me reformat e gjyqësorit, të cilat paralajmërohen pas mbarimit të procesit zgjedhor.
“Nevojiten reforma në Këshillin Gjyqësor, nevojiten reforma në Këshillin e Prokurorëve Publik dhe sipas meje na duhet edhe prokuror i ri shtetëror i cili do të krijojë ekip, që me energji më të madhe do ta udhëheqë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pa selektim dhe kalkulime politike. Pasi atë do ta kemi si rezultat, atëherë mund të flasim për rritje meritore të koeficientit, të çdonjërit të përfshirë në organet gjyqësore”, deklaroi Antonio Milloshoski, nënkryetar i Kuvendit.
Derisa kritikon ministrin e Drejtësisë Igor Fillkov për vonesat në reformat në gjyqësor, Milloshoski, paralajmëron dinamikë të re sa i përket miratimit të ligjeve të nevojshme.
“Shpresoj që pas zgjedhjeve do të ketë qasje më serioze që të mundet këto resorët kyç, gjyqësor, prokurori, Këshilli Gjyqësor, reforma për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe ngjashëm të shkojnë në rrugë të shpejtë. Fillimisht të harmonizohen në nivel të qeverisë, ndërsa më pas t’i marrin edhe mendimet nga Komisioni i Venecias ose Komisioni Evropian”, tha Antonio Milloshoski, nënkryetar i Kuvendit.
Paraprakisht u publikuan rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me ligjet për Prokurorinë Publike dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë. Sugjerimi kryesor ishte që përmes ndryshimeve kushtetuese të kufizohet mandati i prokurorit shtetëror dhe zgjedhja e tij të bëhet me shumicë të kualifikuar. /Alsat.mk
The post Pas mbarimit të procesit zgjedhor, paralajmërohet shkarkimi i prokurorit shtetëror Lupço Kocevski appeared first on Alsat.