Kritika nga partia në pushtet VMRO-DPMNE për raportin e djeshëm të Këshillit gjyqësor ku arsyetohet vendimi i gjykatësit Elvedin Ferati për të shqiptuar dënim me 2 vjet burg për Mensur Pajaziti i cili e goditi për vdekje me veturën e tij 22 vjeçaren Teodora. Lupço Prenxhov, deputet nga radhët e kësaj partie mendon se përveç punës së gjykatësit, duhet të rishqyrtohet edhe puna e prokurores nga Gostivari Vjollca Elmazi e cila i ka propozuar gjykatës që ta pranojë ankesën e Pajazitit për një dënim më të butë.

Në vend që të demonstrojnë virtyt dhe ndjenjë për përgjegjësi publike, anëtarët e Këshillit gjyqësor zgjodhën ta relativizojnë padrejtësinë duke u përpjekur ta arsyetojnë në aspekt juridik. Mendoj se duhet të rishqyrtohet edhe roli i prokurores nga Gostivari, Vjollca Elmazi e cila para gjykatës së Apelit ka ndërruar mendje duke propozuar pjesërisht të pranohet ankesa e të akuzuarit Pajaziti me kërkesë për uljen e dënimit tashmë të shqiptuar, tha Lupço Prenxhov, deputet nga VMRO-DPMNE.

Procedura për rastin me Teodorën u hap përsëri pasi vendimi paraprak u anulua nga Gjykata supreme dhe lëndën e ktheu në rigjykim, ndërsa gjykata e apelit nga Gostivari ka caktuar se dënimi fillestar nga 3 vjet e gjysmë është tepër i lartë pas çka gjykatësi Ferati shqiptoi dënim me 2 vjet burg. Grupi punues i Këshillit gjyqësor e shqyrtoi veprimin e gjykatësit dhe vendosi se Ferati nuk ka mundur të vepronte ndryshe ndërsa këtë e konfirmoi edhe kryetari i këtij organi Aleksandar Kambovski.

Ky ishte i vetmi dënim që ka mundur ta shqiptonte në rastin konkret ndërsa duke pasur parasysh dispozitën ligjore që është në ligjin për procedurë penale që ndalon të ndryshohet një vendim i caktuar në drejtim negativ ndaj të akuzuarit. Kjo dispozitë tregon se në raste kur ka ankesë nga ana e të akuzuarit, çdo vendim tjetër nuk mund të jetë në dëm të të akuzuarit përkatësisht mund të jetë i njëjtë ose më i butë nga vendimi paraprak., tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit gjyqësor.

Për vendimin e gjykatësit Ferati dje kishte reagim edhe nga Dega e gjykatësve të Gjykatës themelore Tetovë të cilët dolën në mbrojtjen e tij duke pohuar se ai nuk ka mundur të vepronte ndryshe. Nga ana tjetër, familja e Teodorës së ndjerë me letër të hapur reagoi në vendimin duke pyetur se sa kushton jeta e njeriut.