Pas plot 12 vitesh, Fatmir Dehari i BDI-së sot e la Komunën e Kërçovës. Karrigen e kryetarit ia dorëzoi Aleksandar Jovanovskit nga VMRO DPMNE-ja. Ai premtoi realizimin e gjithçkaje që kishte premtuar gjatë fushatës, para së gjithash një qytet më të pastër, kushte për kthimin e mërgimtarëve nga jashtë, si dhe respekt për të gjithë qytetarët pa dallim feje apo përkatësie etnike. Nga Dehari, Jovanovski mori dhuratë një pikturë të punuar në gur. Dehari i tha Jovanovskit se e kishte gjetur komunën me 7 milionë euro borxh, ndërsa tani ia dorëzon me projekte të përgatitura në vlerë prej 7 milionë eurosh.
“Nga kjo foltore mund të premtoj punë të ndershme, të palodhshme dhe me përgjegjësi për realizimin e të gjitha projekteve për të cilat jemi angazhuar. Dua të theksoj se nuk do të kem asnjë problem të kemi bashkëpunimin më të mirë të mundshëm me të gjithë të punësuarit në Komunë, dhe mbi të gjitha të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë. Pritje në kuptimin e higjienës, pritje në kuptimin e projekteve që i kemi ofruar, dhe pritje për një jetë të përbashkët. Nuk dua të përdor fjalën bashkëjetesë, sepse më tingëllon jo natyrshëm, dua të jetojmë së bashku, të shoqërohemi dhe të krijojmë një kënd të përbashkët ku do të jetë bukur të jetojmë, por edhe t’i ftojmë të gjithë ata tanët që janë jashtë vendit të vijnë dhe t’i bindim të qëndrojnë këtu, sepse qyteti është i mrekullueshëm”, tha Aleksandar Jovanovski – kryetar i Komunës së Kërçovës./Alsat.mk
The post Pas plot 12 vitesh, Fatmir Dehari i BDI-së sot e la Komunën e Kërçovës appeared first on Alsat.

