Para një muaji TV21 përmes emisionit “Edhe Unë Jam Këtu” trokiti në derën e familjes Osmani nga Shkupi për të dëgjuar hallin dhe vështirësitë që kishin.

Kryefamiljari Xhemili është shitës i aromatikëve për vetura nëpër semaforë, ndërsa bashkëshortja e tij punon me kontratë në vepër, por megjithatë të hollat e të dyve nuk u mjaftojnë që të kalojnë muajin. 

-Si ia bëni ato ditë kur nuk keni fare të ardhura?

-Ato ditë mundohemi që të kalojmë ditën me ato gjëra që i kemi në shtëpi. Ka ndodhur që unë dhe bashkëshortja nuk kemi ngrënë, që fëmijët të hanë. Ne kemi qenë edhe pa ngrënë…kjo është, tha Xhemil Osmani.

Përveç vështirësive për të siguruar kafshatën e gojës dhe parave për qira, Jusufi 12 vjeç, njëri prej 4 fëmijëve të kësaj familje ka ngecje në zhvillim.

Vetëm 24 orë pas publikimit të rastit, familjes Osmani filluan që t’i arrijnë ndihmat e para.

Një person, i cili kërkoi të mbetet anonim, kësaj familje ia ka paguar qiranë për një vit si dhe logopedin për Jusufin për 6 muaj.

Familjes Osmani i është ndihmuar edhe në të holla rreth 40.000 denarë, ndërsa bamirësit i kanë dërguar edhe pako ushqimore.

Pasi komunikuam me kryefamiljari Xhemil Osmani, ai na tha se i falënderoi nga zemra të gjithë që e ndihmuan, që ia zgjatën dorën në këto momente të vështira dhe mezi po ia dilnin mbanë.