Pas tragjedisë së rëndë në vendpushimin zviceran të skive Crans-Montana, autoritetet kanë marrë masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë publike. Kantoni i Valais ka ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike në të gjitha ambientet publike të mbyllura.
Vendime të ngjashme janë marrë edhe nga kantonet e Gjenevës dhe Vaud, ky i fundit i pari në Zvicër që vendosi një ndalim të tillë.
Masat vijnë pas zjarrit shkatërrues në barin “Le Constellation” në natën e Vitit të Ri, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë, raporton BBC. Tetë nga viktimat ishin nën moshën 16-vjeçare.
Autoritetet zvicerane kanë njoftuar se familjet e viktimave do të përfitojnë një pagesë emergjente prej 10 mijë frangash zvicerane, ndërsa po krijohet edhe një fond për donacione. Rreth 80 të plagosur vazhdojnë të trajtohen në spitale në Zvicër dhe vende të tjera evropiane, shumica me djegie të rënda.
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri dyshohet të ketë nisur nga fishekzjarrët e vendosur në shishe shampanje, të cilët kanë ndezur materialin izolues në tavan. Autoritetet kanë pranuar se lokali nuk ishte inspektuar për siguri prej pesë vitesh.
Dy bashkëpronarët e lokalit, Jacques dhe Jessica Moretti, janë akuzuar për vrasje dhe lëndime trupore nga pakujdesia. Jacques Moretti ndodhet në paraburgim, ndërsa bashkëshortja e tij është vënë nën masa mbikëqyrjeje.
Ndër viktimat ishte edhe kamarierja 24-vjeçare nga Franca, Cyane Panine. Familja e saj ka deklaruar se ajo po vepronte sipas udhëzimeve të punëdhënësve dhe nuk mban përgjegjësi për ngjarjen tragjike.
