Policia ka ndërmarrë një aksion në lidhje me videon e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqeshin të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu familjar në fshatin Dobërdoll të Gostivarit. Gjatë bastisjeve në disa lokacione janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa një tjetër është ftuar për bisedë zyrtare. Po ashtu, janë sekuestruar armë dhe municion.
Sipas komunikatës së Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, rreth orës 18:00 është kryer bastisje te I.S. (21) nga Dobërdolli, ndërsa pesë minuta më vonë edhe te A.I. (30), ku është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz. Në të njëjtën kohë është kontrolluar edhe banesa e I.B. (25), po ashtu nga Dobërdolli, njofton TS.
Në orën 18:15 është kryer bastisje në shtëpinë e B.A. në Dobërdoll, ku janë gjetur 30 fishekë për pistoletë me gaz. Në oborr janë gjetur edhe 27 gëzhoja të shkrepura nga pistoletë me gaz dhe një fishek për armë gjahu. Pas kësaj, janë arrestuar B.A. (46) dhe djali i tij M.A. (21).
Më pas, në orën 18:25, policia ka bastisur edhe banesën e T.M. (26), ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me tetë fishekë, një pushkë gjahu me shtatë fishekë dhe një pistoletë me gaz. Ai është arrestuar, ndërsa S.M. është ftuar për bisedë zyrtare.
