Pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë, Paul Pogba është gati për t’u rikthyer në futboll. Në moshën 32-vjeçare dhe 26 muaj pas ndeshjes së fundit zyrtare (3 shtator 2023, Empoli-Juventus), mesfushori francez do të bëjë debutimin e tij me fanellën e Monacos në Ligue 1, në ndeshjen ndaj Rennes, e cila luhet sot në orën 19:00.

Pogba ka kaluar një periudhë të errët, që nisi në nëntor 2022, për shkak të dëmtimeve dhe problemit me dopingun. Ai kishte përdorur suplementë me DHEA pa këshillën e stafit mjekësor të Juventusit. Mbasi doli pozitiv në testin përkatës, pas ndeshjes Udinese-Juventus në gusht 2023, u ndëshkua me 4 vite pezullim nga Tribunali Antidoping, më pas apelimi në CAS që e uli ndëshkimin në 18 muaj, duke konstatuar se përdorimi nuk ishte i qëllimshëm. Juventusi ia ndërpreu kontratën në nëntor 2024.

Në qershor 2025, Pogba firmosi me Monaco me një pagë prej 320.000 euro bruto në muaj, gjysma e asaj që merrte në Torino. Ai po përgatitet për rikthimin duke jetuar pranë qendrës sportive “La Turbie” dhe ndjek një program rigoroz stërvitjeje nën kujdesin e fizioterapistit Jerome Palestri, për të shmangur dëmtime të reja. Debutimi i planifikuar më parë kundër Paris FC ishte shtyrë për shkak të një problemi të vogël me kyçin e këmbës.

The post Paul Pogba rikthehet sonte në fushë, debuton me Monaco pas kalvarit 26 mujor appeared first on Telesport.