Çiklisti danez Mads Pedersen fitoi sot në Vlorë etapën e tretë të Xhiros së Italisë, pas 3h49’47” pedalim, duke marrë edhe kreun provizor të turneut. Ai vesh sërish fanellën rozë të liderit (7h42’10 koha e përgjithshme).

Kjo ishte etapa e tretë dhe e fundit e Xhiros së Italisë zhvilluar në Shqipëri. Etapa e sotme u zhvillua e gjitha në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth saj, një etapë mikse, me disa malore dhe pjesë fushore.

Një tjetër etapë mjaft e bukur, e fortë dhe spektakolare në rrugët e Shqipërisë, ku garuesit patën mundësi të shijojnë edhe pamjet e bregdetit. Kalimi në qafën e Llogarasë ishte edhe momenti më i vështirë i garës.

Etapa e sotme nisi nga qyteti i Vlorës, përshkoi rrugën e re të Kuçit, për të mbërritur në Qeparo. Më pas kthimi nga bregdeti dhe ngjitja e Llogarasë, ku disa çiklistë u shkëputën, por u kapën gradualisht nga grupi i madh.

Gara pati edhe disa momente të rrezikshme: Fillimisht një dhi hyri mes garuesve dhe u përplas me një çiklist (Wanty Dion Smith të Australisë), që ruajti ekuilibrin. Ndërsa në Lungomare një qen kaloi pak sekonda para çiklistëve.

Mijëra shikues ndoqën “live” këtë etapë, ashtu sikurse edhe në dy të parat në Durrës e Tiranë, duke shijuar emocionet e një garë të tillë. Pedersen largohet si lider nga Shqipëria, me +9” nga Primoz Roglic.

The post Pedersen triumfon me fotofinish në Vlorë dhe merr sërish kreun e renditjes në Xhiron e Italisë appeared first on Telesport.