Gazetar: Avni Tahiri

Megjithëse ligji i ri u hap rrugë pensionistëve për t’u angazhuar në punë sezonale, interesimi i tyre mbetet i ulët. Një pjesë e pensionistëve thonë se nuk janë të gatshëm të rikthehen në punë, duke theksuar se mjaft kanë punuar para pensionit dhe se tani janë duke shijuar pensionin. Disa të tjerë thonë se shohin këtë mundësi si mënyrë për të përmirësuar të ardhurat, por preferojnë angazhime më të lehta dhe me orar fleksibil. Ata kërkojnë punë që nuk kërkojnë përpjekje të mëdha fizike, si shërbime këshillimore, punë administrative apo aktivitete të lehta sezonale.

”Ai që është i aftë mund të punoje. Unë ndjehem i aftë për punë dhe do të punoja. Çfarë do kishe punuar? Unë kam punuar punë administrative në sportel dhe ndoshta do të mund të punoja një punë të tillë. Sa vite që je në pension? Që nga 2009. A ke punuar ndonjë punë deri tani? Jo, “Pres që të ha bukë pa punuar”, tha një qytetar.

”Të punoj si pensionist! A pak më vodhën që të punoj akoma! Punoni ju të rinjtë mjaft punuam ne. Asnjë punë nuk do të punoje më? Jo, asgjë. Si i kaloni ditët? Më mirë kështu pa punë se të punoj për 200 apo 100 euro, çfarë do bësh”, tha një qytetar tjetër.

“Unë do i kisha dënuar pensionistët nëse punojnë, edhe pse jam pensionist. Nuk duhet të punojnë, të rinjtë duhet të punojnë dhe nuk duhet të largohen nga vendi i tyre”, u shpreh qytetari.

Me ligjin e ri pensionistëve u mundësohet angazhim sezonal pa humbur të drejtën e pensionit. Ky ndryshim synon të rrisë pjesëmarrjen në tregun e punës dhe të ndihmojë sektorët që përballen me mungesë të fuqisë punëtore, veçanërisht gjatë sezonit turistik dhe bujqësor. Sipas autoriteteve, pensionistët do të kenë mundësi të fitojnë të ardhura shtesë, ndërsa punëdhënësit përfitojnë nga përvoja e tyre profesionale./Alsat.mk.

The post Pensionistët hezitojnë punën sezonale, pavarësisht lehtësimeve ligjore appeared first on Alsat.