Gazetar: Avni Tahiri

Në një cep të Bit Pazarit në Shkupit, në një dyqan të vogël prej vetëm 8 metrash katrorë, prej afro 50 vitesh shiten vetëm tre produkte tradicionale; koret e bakllavasë, kadaifi dhe jufkat e shtëpisë, të përgatitura me mjeshtëri nga Nehat Qazimi.

”Kam filluar të punoj këtu që i vogël, që kur isha në shkollë fillore pra kur isha 12 vjeçar veç më isha edhe mjeshtër i koreve të bakllavës…Traditë si traditë ja ende ekzistojmë dhe diku 48 vite edhe pak 50 vite në vendin e njëjtë me kadaif, koreve të bakllavës dhe një kohë pastaj vendosen edhe jufka shtëpie dhe të gjithë janë të kënaqur”, deklaroi Nehat Qazimi – Mjeshtër i koreve të bakllavës.

Në kohë festash siç është tani muaji i Ramazanit, duhet pritur radhë për blerje të kadaifit apo koreve të bakllavës tradicionale.

”Ka punë për Ramazan pasi si tradite janë iftaret dhe blihet kadaifi ndërsa dy javë para bajramit blihen koret e bakllavës….E vlerësojnë këtë që përgatitim me dorë, dhe vazhdojmë të përgatisim me dorë, është zanat i vështirë dhe para bajramit punojmë edhe nga 16 orë në ditë, ndoshta nuk do besojnë. Zgjohem ora 2;30-3:00 dhe përfundoj në 9:00 apo 23:00, varet. 12 ore këtu shesim por ka edhe punë tjera në punëtori”, tha Nehat Qazimi – Mjeshtër i koreve të bakllavës.

Blerësit thonë që tani e kanë shndërruar si traditë blerjen e kadaifit dhe bakllavës për ramazan.

”Këto janë të shtëpisë dhe i blejmë çdo vit, ka edhe tjera por këto janë më të mira”, u shpreh një blerës.

“Ka 40 vite që zakonisht blej këtu, nuk e di për sa kohë që punon dyqani por këtu blejmë zakonisht”, tha një tjetër blerës.

Traditën e përgatitjes së koreve të bakllavës, kadaifit dhe jufkave tani e mësojnë trashëgimtarët tjerë të familjes Qazimi. /Alsat.mk

The post Për 5 dekada me radhë familja Qazimi shet kore të bakllavasë, kadaif e jufka të shtëpisë appeared first on Alsat.