Përfaqësimi shqiptar në Butel nën 10% – AKI: Kostovski po udhëheq një komunë monoetnike

Kandidati i Alternativës për Kohezion dhe Integrim (AKI) për Komunën e Butelit, z. Isamedin Azizi, ka mbajtur një konferencë për shtyp përpara godinës së komunës, ku ka adresuar një sërë pyetjesh publike në drejtim të kryetarit aktual dhe kandidatit për një mandat të dytë nga radhët e VMRO-DPMNE-së, z. Darko Kostovski, trasnmeton FaktiDitor.info

Azizi shprehu shqetësime lidhur me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet komunale, duke parashtruar këto pyetje për z. Kostovski:

Sa është përfaqësimi i shqiptarëve në administratën e Komunës së Butelit?

Sa shqiptarë janë avancuar në pozita udhëheqëse gjatë mandatit tuaj?

Sa shqiptarë janë larguar nga puna në këtë periudhë?

Nga gjithsej 5.2 milionë euro investime publike në komunë, sa prej tyre janë investuar në vendbanimet shqiptare?

Sipas Azizit, Komuna e Butelit, ndonëse multietnike, funksionon si një administratë thuajse monoetnike, me më pak se 10% të punësuar shqiptarë dhe asnjë në pozita drejtuese. Ai gjithashtu theksoi se gjatë mandatit të kaluar janë larguar nga puna 15 punonjës shqiptarë, duke e cilësuar këtë si një pasqyrim të qasjes diskriminuese të udhëheqjes aktuale ndaj komunitetit shqiptar.

Azizi kritikoi gjithashtu shpërndarjen e pabarabartë të investimeve komunale, duke theksuar se ato janë përqendruar pothuajse tërësisht në fshatin Radishan, një vendbanim kryesisht maqedonas, ndërkohë që Luboteni dhe Vizbegu, zona të banuara me shumicë shqiptare, janë lënë në harresë.

“Ndërsa në shkollat e Radishanit premtohet ndërtimi i pishinave, në shkollat ku mësojnë nxënësit shqiptarë mungojnë edhe sallat e edukimit fizik,” u tha ndër të tjera në këtë konferencë për shtyp të AKI-së.