Ka përfunduar fushata zgjedhore për raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale 2025, dhe në mesnatë ka nisur periudha e heshtjes zgjedhore para votimit që do të zhvillohet të dielën, më 2 nëntor. Në këtë raund do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, por heshtja zgjedhore vlen për të gjithë territorin e vendit.
Rregullat për heshtjen zgjedhore janë në fuqi nga 1 nëntori deri më 2 nëntor në orën 19:00. Gjatë kësaj kohe, mediat mund të raportojnë për procesin zgjedhor, por ndalohet çdo formë e paraqitjes mediatike të pjesëmarrësve në fushatë.
Sipas Kodit Zgjedhor, shkelje e heshtjes zgjedhore konsiderohet publikimi i çfarëdo informacioni, fotografie, materiali audio ose audiovizual që lidhet me apo përfshin pjesëmarrës në zgjedhje; çdo formë raportimi që hapur ose fshehurazi mund të ndikojë tek vendimi i votuesve; publikimi i të dhënave që zbulojnë identitetin e subjekteve politike apo individëve të përfshirë në incidente gjatë ditës së votimit; si edhe deklaratat nga kandidatët, përfaqësuesit e partive politike ose bartësit e funksioneve publike.
Zgjedhjet Lokale 2025 janë të tetat që prej pavarësisë së shtetit dhe të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe këshilla komunalë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Në raundin e dytë do të votohet për kryetar komune në Shkup dhe në komunat Aerodrom, Bogovinë, Brvenicë, Valandovë, Vinicë, Dibër, Debarcë, Demir Kapi, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçan, Krushevë, Kumanovë, Lozovë, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Rankovcë, Rosoman, Strugë, Studeniçan, Tetovë, Qendër, Çeshinovë-Obleshovo, Çuçer-Sandevë, Shuto Orizarë, Dollneni, Dojran dhe Zrnovcë.
Në kryeqytet, në komunat Qendër, Aerodrom dhe Karposh, qytetarët do të votojnë me dy fletëvotime – për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe për kryetarin e komunës përkatëse. Në Shuto Orizarë, në tre vendvotime do të zhvillohet edhe rivotim për këshilltarë, krahas zgjedhjes së kryetarit të komunës. Në komunat e tjera do të votohet vetëm për kryetar komune.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të drejtë vote kanë gjithsej 1.013.375 qytetarë.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), për votim paraprak janë paraqitur 4.826 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, ndërsa më shumë kërkesa janë regjistruar në Kërçovë – 823.
Të sëmurët dhe personat me aftësi të kufizuara, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak votojnë një ditë para zgjedhjeve, pra sot.
Procesin zgjedhor do ta ndjekin 1.598 vëzhgues, prej tyre 933 të huaj dhe 651 ndërkombëtarë.
Në Zgjedhjet Lokale 2025 (raundi i parë dhe i dytë) marrin pjesë gjithsej 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe qytetarësh apo kandidatura të pavarura.
Ditën e zgjedhjeve, nesër, votimi do të nisë në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në 19:00.
Votuesit mund të votojnë vetëm një herë në vendvotimin e tyre, edhe pse në disa raste do të ketë më shumë fletëvotime (për kryetarë dhe këshilla). Në Shkup, qytetarët do të votojnë për kryetarin e Qytetit të Shkupit, kryetarin e komunës përkatëse dhe për dy këshillat përkatës. Votimi është i fshehtë, dhe si në zgjedhjet e mëparshme, identifikimi i votuesve bëhet me dokument identifikimi (letërnjoftim ose pasaportë) dhe me pajisje për identifikim biometrik (fingerprint).
Këto pajisje u përdorën për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) do t’i publikojë rezultatet paraprake të raundit të dytë të zgjedhjeve në mënyrë të njëpasnjëshme, sipas të dhënave elektronike nga komisionet komunale, ndërsa rezultatet zyrtare, bazuar në procesverbalet, do të shpallen brenda 12 orëve pas përfundimit të votimit.
Në raundin e parë të mbajtur më 19 tetor, u zgjodhën 44 kryetarë komunash dhe këshilla, përveç në Shuto Orizarë ku do të ketë rivotim. Në komunat Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë nuk u zgjodh kryetari i komunës për shkak se nuk u arrit censusi minimal i daljes prej një të tretës së votuesve. Në këto komuna do të nisë një procedurë e re zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të komunës brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve Lokale 2025, në përputhje me Kodin Zgjedhor.

