
Prokuroria Themelore në Shkup ka ngritur aktakuzë kundër tre personave fizikë dhe një personi juridik për veprën penale “Rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbetje”, lidhur me rastin e deponimit të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme në Vizbeg, përcjell TV21. Sipas hetimeve, nga fundi i shkurtit deri më 9 korrik 2025, të akuzuarit kanë grumbulluar dhe menaxhuar pa leje mbetje me përbërje shpërthyese, të ndezshme dhe toksike në një parcelë pa autorizim nga Ministria e Mjedisit.
Më 9 korrik në lokacion shpërtheu zjarr, i cili shkaktoi ndotje të konsiderueshme të ajrit, të konfirmuar nga matjet e njësisë për mbrojtje atomike, biologjike dhe kimike të ARM-së, duke paraqitur rrezik potencial për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Sipas Prokurorisë, përgjegjësi është konstatuar te pronarja dhe menaxherja e kompanisë, si dhe te një bashkëpunëtor tjetër, ndërsa një pronare tjetër akuzohet për mosveprim, pasi ka qenë e detyruar dhe ka mundur të ishte e vetëdijshme për pasojat e mundshme.
