Më 18 shkurt të vitit 1975 u nda nga jeta aktori i shquar shqiptar, Naim Frashëri, një nga figurat më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Ai ishte pasardhës i një familjeje bejlerësh nga Përmeti, ndërsa lindi në Leskovik më 15 gusht 1923. Fillimet artistike i pati në skenën e teatrit partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku spikati për talentin dhe interpretimin e veçantë. Pas luftës, në vitin 1945, ai u bë pjesë e Teatrit Kombëtar, duke ndërtuar një karrierë të pasur artistike.

Ndër rolet më të njohura dhe më të duartrokitura të tij në teatër përmenden Valeri te “Tartufi”, Gjoni te “Trimi i mirë me shokë shumë”, gjenerali te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Leka te “Përkolgjinajt”, Nikolla te “Armiqtë”, Sasha Ribakov tek “Orët e Kremlinit”, Lubeni te “Procesi i Lajpcigut” dhe Hamleti në veprën “Hamleti”.

Roli i Jonuz Brugës te “Familja e Peshkatarit” do të ishte interpretimi i 80-të dhe i fundit i tij në një karrierë të gjatë dhe të suksesshme artistike.

Në kinematografi, Naim Frashëri interpretoi në tetë prodhime filmike, ndër të cilat spikasin rolet në filmat “Skënderbeu” (1953) dhe “Tana” (1958). Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, ai u nderua me Çmimin e Republikës, klasi I, si dhe me titujt e lartë “Hero i Punës Socialiste” dhe “Artist i Popullit”.

Naim Frashëri mbetet një nga emrat më të mëdhenj të skenës dhe ekranit shqiptar, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike që vazhdon të vlerësohet edhe sot.

The post Përkujtohet Naim Frashëri, kolosi i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, në 51-vjetorin e ndarjes nga jeta appeared first on Alsat.