Gazetar: Miki Trajkovski

Deri në fund të vitit po bëhen përpjekje për të zgjedhur kreun e këshillit të Strugës, mëson Alsat, pasi tre tentime dështuan. Në rast të dështimit të katërt atëherë komuna do të punojë me buxhet të kufizuar.

“Nëse në ditët në vijim arrijmë të harmonizojmë dhe zgjedhim një kryetar dhe komisione në këshill, do të jemi në gjendje të arrijmë në kohë me miratimin e buxhetit dhe të fillojmë vitin e ri normalisht dhe ta bëjmë komunën të funksionojë normalisht. Afati i miratimit të buxhetit është data 31 dhjetor dhe më pas ai do të funksionojë me buxhet të përkohshëm. Të vetmet pagesa që mund të bëhen nga komuna janë vetëm ato për paga dhe shpenzime të nevojshme”, tha Mite Stefoski – VMRO- DPMNE, Strugë.

Sipas ligjit, llogaria përfundimtare duhet të miratohet deri më 31 mars, por nëse kjo nuk ndodh, do të mbahen zgjedhje të reja për këshilltarët komunal. Alsat mëson se zhvillohen bisedime për të zgjidhur status quo-në. Kohë më parë Vlen në Strugë theksoi se bisedimet për shumicën në këshill dhe ndarjen e pozitave lokale drejtohen nga Mendi Qyra. Sipas këtij koalicioni deri më tani nuk ka marrëveshje, por nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme për zgjedhjen e kreut të këshillit thonë se ekziston një mundësi tjetër.

“Edhe pse disa këshilltarë mund të mungojnë, sipas Rregullores së Punës, kryetari i këshillit mund të zgjidhet në raundin e parë nëse merr shumicën e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve. Në raundin e dytë, ai mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë”, tha Nafi Jonuzi – këshilltar nga VLEN.

Ligji për vetëqeverisjen lokale përcakton se kandidati që ka marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të këshillit zgjidhet kryetar i këshillit. Nëse në raundin e parë asnjë nga kandidatët nuk ka marrë numrin e duhur të votave, zhvillohet raundi i dytë i votimit për dy kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave në raundin e parë. Anëtari i këshillit që merr më shumë vota në raundin e dytë të votimit zgjidhet kryetar. /Alsat.mk

The post Përpjekje e re për zgjedhjen e kreut të Këshillit të Komunës së Strugës para festave appeared first on Alsat.