Frikë në stadiumin “Bluenergy”, në fillim të pjesës së dytë të ndeshjes mes Udineses dhe Milanit, pas një përplasjeje kokë më kokë mes portierit kuqezi Maignan, i cili kishte dalë nga zona për të marrë topin, dhe shokut të skuadrës, Jimenez.
Francezi mbeti i shtrirë në tokë, bashkëlojtarët kërkuan menjëherë ndërhyrjen e mjekëve. Maignan u transportua jashtë fushe me barelë, ndërsa me njërën dorë mbante kokën. Portieri, i cili ishte i vetëdijshëm, pësoi një traumë të fortë në kokë. Kontrollet mjekësore në spital rezultuan negative. Ai e kaloi natën në spital për vëzhgim dhe paraditen e së shtunës do të kthehet në Milano.
I gjithë publiku në tribuna e duartrokiti Maignan në momentin e largimit nga fusha. Duartrokitje që heshtën fishkëllimat e një pjese të tifozëve të Udineses ndaj francezit. Në Udine, më 20 janar 2024, pas ofendimeve raciste që kishte dëgjuar pas shpine, ai kishte lënë fushën dhe ndeshja ishte pezulluar për 5 minuta.
Edhe Jimenez u zëvendësua rreth 15 minuta pas përplasjes me Maignan. Spanjolli, që fillimisht kishte mbetur në fushë, u shtri më pas në tokë dhe tërhoqi vëmendjen e mjekëve të Milanit, të cilët kërkuan zëvendësimin e tij. Jimenez doli nga fusha në këmbë dhe u dërgua në dhomat e zhveshjes për kontrolle.
The post Përplasja e fortë kokë më kokë, Maignan doli me barelë nga fusha. Francezi e kaloi natën në spital appeared first on Telesport.
