Gazetar: Suad Bajrami
Përplasje mes deputetit të BDI-së Blerim Bexheti dhe kryeministrit Hristijan Mickoski rreth çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe gjatë seancës së sotme të pyetjeve të deputetëve në Kuvend. Sipas Bexhetit, kryeministri ka standarde të dyfishta dhe interpreton sipas dëshirës së tij mendimin e Komisionit të Venecias për ligjin e gjuhëve.
“Në këto dy vite qeverisje, njiheni si njeri me dy standarde edhe atë goxha të dyfishtë. Sot kur i njëjti e bën të qartë se standardet janë minimale dhe se shteti mund të ofrojë më shumë të drejta gjuhësore, a do ta respektoni edhe këtë pjesë apo edhe Komisioni i Venecias vlen vetëm kur ju konvenon politikisht?”.tha; Blerim Bexheti, Deputet i Frontit Evropian.
Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski tha se BDI po e keqinterpreton mendimin e Komisionit të Venecias, ndërsa porositi se nuk do të tolerojë që të luhet me ndjenjat e qytetarëve nga partia që 20 vite ishte në pushtet dhe sipas tij, nuk bëri asgjë për shqiptarët. Sipas Mickoskit tani është një Maqedoni ndryshe ku ardhmëria është te barazia, jo te përkatësia etnike.
“Njerëzit në shekullin XXI në mars kanë hipur, ndërsa ju tentoni me populizëm të imët, duke menduar se në atë mënyrë do të fitoni ndonjë pikë, ndërsa humbni, mendoni se do të bëni diçka për ju dhe partinë tuaj. Nuk ka, ajo kohë mbaroi. Do të shihni. Ja derisa më shihni këtu dhe unë ju shoh këtu unë ju them se ajo kohë mbaroi. Po kjo është Maqedoni e re e cila çdo qytetar kontribuon dhe përpiqet për ardhmërinë e këtij shteti në mënyrë të barabartë, jo sipas bazës etnike, por sipas barazisë. Kjo është një Maqedoni ndryshe, në të cilën të gjithë duam të kontribuojmë me projekt më shumë”; tha; Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Sikur Mickoski, edhe zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq thotë se duhet transformim në mbarë shtetin, kurse e quan sukses momentin se punohet për të gjitha komunitetet dhe jo vetëm për shqiptarët.
“Është koha për një transformim serioz, i cili do të mbajë llogari për të gjithë dhe roli dhe përfitimet e Ministrisë në periudhën e kaluar janë atë që ju e keni punuar vetëm për shqiptarët, tani punohet për të gjithë. E këtu janë rezultat dhe atë mund ta verifikoni te përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve në shtetin tonë”. tha ; Ivan Stoillkoviq, Zëvendëskryeministër për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve. /Alsat.mk.
The post Përplasje në Kuvend: Bexheti akuzon për standarde të dyfishta, Mickoski flet për “Maqedoni të re” dhe barazi etnike appeared first on Alsat.
