Gazetar: Suad Bajrami
Përplasje mes deputetes së BDI-së Arbana Pasholli dhe ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski lidhur me temën e sistematizimit të ri të strukturave policore. Deputetja Pasholli në seancën e pyetjeve të deputetëve në Kuvend, theksoi që sistematizimi i ri do të prekë pozitat që udhëhiqen nga shqiptarët.
“Ajo që u paraqit si një riorganizim teknik, në fakt po rezulton të jetë një ndërhyrje e thellë në strukturat e sigurisë së shtetit me pasoja konkrete në terren dhe ajo që është edhe më shqetësuese, kryesisht në vendbanimet me shumicë shqiptare”.“Reduktimi i një pjese të konsiderueshme të strukturës drejtuese në një institucion kaq të ndjeshëm si Ministria e Punëve të Brendshme, prek drejtpërdrejtë përfaqësimin e drejtë dhe balancën ndëretnike, sidomos në rrethana kur një pjesë e këtyre pozitave mbahen nga shqiptarët”, deklaroi Arbana Pasholli, Deputete e Frontit Evropian.
I ashpër dhe ironizues ishte reagimi i Toshkovskit, duke përgënjeshtruar pretendimin e Pashollit.
“Ai që ua jep këto ideja dhe i shpik tregimet, domethënë nëse e paguani, ndaloni ta paguani mendoni diçka vetëm dhe besomëni se do të jeni më efikas. Po ulej përqindja e kuadrit menaxhrial në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shqiptarët do të mbeten pa pozita menaxheriale. Po kush ua thotë këto çështje? Me të vërtetë nuk e kam të qartë. Si i shpikni? Si ju kujtohen? Zgjoheni në mëngjes dhe hop, kamera vetëm shqiptarët i kap? Si be zonjë? Si bre ashtu?”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.
Tema e sistematizimit që ka në fokus shfuqizimin e pozitave të zëvendësve dhe ndihmëskryeshefave është bërë temë debati, sidomos pas shqetësimeve se shumicën e këtyre pozitave i mbajnë shqiptarët. / Alsat.mk.
The post Përplasje në Kuvend për çështjen e sistematizimit në strukturat policore appeared first on Alsat.
