Gazetare: Fatlume Dervishi
Opozita shqiptare e ashpër me vendimet dhe qëndrimet e kreut të Gjykatës Kushtetuese ndaj dygjuhësisë në sms-porositë për gjoba dhe vërejtje gjatë detektimit të shkeljeve në trafik nga sistemi “Safe City”. Një ditë pasi Darko Kostadinovski tha se për të më e logjikshme do të ishte që sms-porositë të dërgohen vetëm në maqedonisht dhe anglisht, BDI-ja thotë se deklaratat e tij përbëjnë një akt të hapur diskriminimi. Ata kërkojnë dorëheqjen e tij dhe përgjegjësi nga VLEN.
“BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Darko Kostadinovskit dhe të çdo gjyqtari që ndan të njëjtat qëndrime diskriminuese për këto dy vite me majorizim. Përndryshe, prej sot e tutje ai do të mbajë përgjegjësi të plotë për çdo pasojë që mund të prodhohet në planin e marrëdhënieve ndëretnike. Mbaje mend, Kostadinovski: për këto veprime do të përgjigjesh – herët a vonë, por do të përgjigjesh. Bashkëpërgjegjës për këto veprime antikushtetuese dhe antiligjore të Kostadinovskit dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese është edhe VREDI, të cilët janë pa takat e pa zë. Përgjegjësisë nuk do të mund t’i ikni,” thonë nga BDI.
• BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Darko Kostadinovskit.
• Ai do të mbajë përgjegjësi të plotë për çdo pasojë që mund të prodhohet në planin e marrëdhënieve ndëretnike.
• Bashkëpërgjegjës për këto veprime antikushtetuese dhe antiligjore… është edhe VREDI.
Sipas ASH-së dhe kreut të saj Ziadin Selës, si një nga iniciuesit e nismave për “Safe City”, vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese është vetëm edhe një dëshmi shtesë e vendimeve të padrejta të gjykatësve maqedonas që majorizojnë shqiptarët dhe të gjitha bashkësitë e tjera etnike në vend. Në reagimin e ASH-së thuhet se ky rast vetëm se konfirmoi nevojën urgjente për vendosjen e parimit të Badenterit në Kushtetuese.
“Ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike shqiptare në veçanti, që urgjentisht të ndërmarrim veprime konkrete për arritjen e këtij mekanizmi shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, të cilat rrezikohen nga institucioni më i lartë kushtetues… Si parti politike dënojmë ashpër edhe deklaratat e kreut të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe dhe të drejtat e qytetarëve të cilat shkelen me projektin “Safe City”, që më shumë tingëllonin si opinione personale sesa si interpretime kushtetuese e juridike,” thanë nga ASH.
• Urgjentisht të ndërmarrim veprime konkrete për arritjen e këtij mekanizmi shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve.
• Dënojmë ashpër edhe deklaratat e kreut të Gjykatës Kushtetuese lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe.
Ka reaguar edhe VLEN. Koalicioni kritikon përbërjen e Gjykatës Kushtetuese pas deklaratave për dygjuhësinë, duke thënë se ajo më shumë i ngjan një elite politike jugosllave sesa instancës më të lartë gjyqësore në vend. Duke komunikuar sikur të ishte në opozitë dhe jo vetë brenda institucioneve shtetërore, nga VLEN kërkojnë përdorimin e shqipes.
“Institucionet shtetërore kanë detyrimin ta garantojnë të drejtën e çdo qytetari që të informohet në gjuhën e tij amtare… Kjo vlen edhe për sistemin “Safe City”. VLEN ka qenë i qartë dhe mbetet i palëkundur në qëndrimin se kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarin përmes këtij sistemi, ai ka për detyrë ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe. Pikërisht për këtë, VLEN do ta mbrojë këtë parim me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale, deri në zbatimin e plotë dhe pa asnjë dilemë,” thonë nga VLEN.
• Institucionet shtetërore kanë detyrimin ta garantojnë të drejtën e çdo qytetari që të informohet në gjuhën e tij amtare…
• Pikërisht për këtë, VLEN do ta mbrojë këtë parim me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale, deri në zbatimin e plotë dhe pa asnjë dilemë.
Kostadinovski një ditë më parë, tha se sms-porositë duhet të jenë maqedonisht dhe anglisht për turistët. Ndërkohë, turistët nuk marrin aspak sms-porosi për dënimet e tyre.
“Njohja e gjuhës maqedonase është edhe e drejtë edhe e detyrueshme për çdo qytetar. Pra jo rastësisht është vendosur si detyrim. Edhe në maqedonisht edhe në gjuhë angleze. Pse në gjuhë angleze? Sepse një i huaj mund të bëjë shkelje,” deklaroi Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës. /alsat.mk
The post Përplasjet për shqipen në Kushtetuese: Opozita kërkon dorëheqjen e Kostadinovskit appeared first on Alsat.
