Gazetar: Zekirija Haxhiu

Personat me autizëm do të njihen si persona me invaliditet në korniza të ligjit për punësimin e personave invalidë. Kjo është pjesë e ndryshimeve ligjore të cilat u miratuan në Kuvend. Deri tani, personat me autizëm nuk kishin mundësi punësimi dhe përballeshin me diskriminim. Psikologia Edlira Destani thotë se tani edhe prindërit shohin një dritë në fund të tunelit pasi përpos angazhimeve për zhvillim të fëmijëve të tyre me çrregullim të spektrit autik, tani do ta kenë mundësinë edhe për t’i punësuar në të ardhmen dhe të integrohen në rrethin shoqëror.

“Gjithmonë flitet për aftësitë e tyre në pjesën e IT-së, në pjesën e inzhinierisë, kryesisht shifrat dhe numrat janë pika e fortë e tyre por jo vetëm. Të mos harrojmë që të paktën të mos jetë një komunikim social apo gjuhësor i cili mund të jetë intensiv në punët që do të vazhdohet sepse kanë dëshirë gjithsesi të jenë më të tërhequr në këto sektorë. Por aftësitë e tyre për të bërë punë të cilat vërtetë mund të jenë shumë avangard për këtë pjesë që shoqëria jonë po zhvillohet, besoj se do të përpunohet shumë mirë ideja për të vazhduar për t’i ndihmuar”, deklaroi Edlira Destani – Psikologe.

Megjithatë edhe gjatë angazhimit në punë, siç thotë psikologja Destani, duhet pasur kujdes që mos të angazhohen me detyra të tepërta.

“Nëse më herët personat të cilët ndoshta nuk kanë qenë të diagnostikuar me këtë lloj çrregullimi por se janë ofruar për të punuar diku, pak a shumë ne si shoqëri kërkojmë nga të gjithë personat, që të bësh edhe këtë pjesë të punës, edhe tjetrën edhe tjetrën. Të mos harrojmë që specifikimet tek ta, të jenë të prera, koncize dhe të mundet të përpunohet si informacion që do të bëjnë një apo jo më shumë se tre lloje të punës në një vend të caktuar”, tha Edlira Destani – Psikologe.

Se personat me çrregullime të spektrit autik diskriminohen shpesh gjatë tentimeve për punësim, është konstatuar edhe në raportin vjetor të fundit të Avokatit të Popullit. Në nenin dy të ligjit për punësim të personave invalidë, si persona me invaliditet njihen vetëm ata me shikim të dëmtuar, me dëgjim të dëmtuar, pengesa në të folur, pengesa në zhvillimin intelektual apo çfarëdo invaliditeti trupor. Sipas informacioneve nga Shtëpia e Shëndetit Publik në Shkup, gjithnjë e më tepër është numri i personave me spektër të autizmit për të cilët jepet vlerësim se kanë aftësi të posaçme funksionale që të punësohen. /Alsat.mk

The post Personat me autizëm do të fitojnë të drejtë punësimi, Destani: Mos të angazhohen me detyra të tepërta appeared first on Alsat.