Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Në Kuvend u prezantua realiteti me të cilin përballen çdo ditë personat me aftësi të kufizuara. Një grua e verbër rrëfeu se si, pas një operacioni, u la e vetme në spital. Pa shoqërues, pa ndihmë që do t’i ofronte qoftë edhe një shërbim minimal. Një tjetër u ankua se për shkak të mosdëgjimit kishte pritur madje 5 orë për një kontroll dhe askush se kishte ndihmuar t’i tregonte që ishte radha e tij.

“Jam operuar para gjashtë muajve. Unë në spital nuk kam pasur shoqërues, nuk kishte kush të më ofronte një gotë ujë. Nuk ma lejuan shoqëruesin…edhe e verbër edhe e operuar pa asnjë shoqërues…pra deri në atë nivel jemi të diskriminuar”, u shpreh një person me nevoja të posaçme.

“Një kontrolle duhej ta bëja. Isha në radhë mes të gjithë të tjerëve, dhe askush nuk më shihte. Unë mendoja se isha i radhës, dhe kam pritur 5 orë në sallë të pritjes hynin dilnin të gjithë unë nuk e dija kur isha në radhë pasi nuk dëgjoj. Me të vërtet jam i zhgënjyer”, tha një tjetër person me nevoja të posaçme.

Nga Grupi parlamentar për të drejtat e personave me nevoja të posaçme u theksua se institucionet vazhdojnë të kenë mangësi serioze në ofrimin e shërbimeve të nevojshme. Ministri i Shëndetësisë tha se të gjithë duhet të turpërohen, përfshi edhe vet atë.

“Vlerësoj se të gjithë duhet të turpërohemi, duke filluar nga unë. Ne mund të flasim tërë kohë, dhe mund të kemi fjalim të bukur, por nuk bëjmë mjaftueshëm për ju, që të mund edhe ju të ndjeheni komod në institucionet që duhet të ju shërbejnë shërbime shëndetësore”, deklaroi Azir Aliu ministër i Shëndetësisë.

Sipas një hulumtimi të sektorit civil, të titulluar “Të përballemi me sfidat dhe stigmatizimin”, 56% e pacientëve ballafaqohen me diskriminim nga punonjësit shëndetësorë. /Alsat.mk

The post Personat me nevoja të posaçme problemet dhe ankesat e tyre i shpalosën në Kuvend appeared first on Alsat.