Gazetar: Zekirija Haxhiu
Pesë kandidatë në garë për të zëvendësuar Islam Abazin si shef i Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në garë janë prokurorët Iskra Haxhivasileva, Lidija Rajçeviq, Trajçe Pelivanov, Faton Azizi dhe Jove Cvetanovski.
Kandidatja Iskra Haxhi-Vasileva si prokurore së fundmi ka përfaqësuar lëndën e gjykatësit Gjoko Ristov, të cilit iu gjetën 350 mijë euro në murin e shtëpisë së prindërve të tij. Gjithashtu Haxhivasileva ka përfaqësuar dhe lëndën kundër spitalit dhe mjekut Zhan Mitrev. Të njëjtit akuzoheshin se u kanë paguar pacientëve me COVID 19, shuma të majme për hemo filtrim. E njëjta gjithashtu ka përfaqësuar dhe lëndën për sulmet ndaj gazetarëve.
Prokurorja Lidija Raiçeviq vepron në Prokurorinë e Shkupit dhe ka udhëhequr rastin për keqpërdorimet financiare me vauçerët sportiv e ku përndiqej ish drejtori i Agjencisë për Sport dhe kryetari i Komitetit Olimpik të Maqedonisë.
Kandidati Trajçe Pelivanov ka qenë pjesë edhe e Prokurorisë Speciale Publike, ku ka përfaqësuar lëndë si “Tarifa”, “Trust”, “Transporter”, “Titanik 2” e “Target-Fortesa”.
Prokurori Faton Azizi ka përfaqësuar lëndë të rëndësishme. Njihet për lëndët “Aditivi„ përkatësisht për keqpërdorimet dhe pastrimin e parave gjatë furnizimeve me mazut në TEC Negotinë. Azizi ka përfaqësuar gjithashtu dhe lëndën “FFM” ku të akuzuar janë 18 persona fizik dhe 8 juridik, përfshirë edhe ish presidentët e FFM-së, Ilço Gjorgjievski dhe Muamed Sejdini. Azizi gjithashtu është angazhuar edhe për lëndët “Botoks” dhe për ish kryetaren e Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovska.
Kandidati tjetër Jove Cvetanovski njihet si prokuror i cili ri-hapi hetimin për lëndën “Mazut”, hetim i cili u ndërpre nga prokurorja Katerina Kolaroviq. Cvetanovski pasi shqyrtoi ankesën, anuloi vendimin për mbylljen e hetimit dhe urdhëroi që hetimi të vazhdojë. Më tej kërkoi hetime shtesë dhe verifikim të veprimeve konkrete të personave të dyshuar. I njëjti gjithashtu ka drejtuar dhe lëndën për “Bonuset në PSP”. Megjithatë, kundër Cvetanovskit vitin e kaluar u ngrit propozim akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas aktakuzës, ai bashkë me prokurorin Mustafa Hajrullain gjatë periudhës 2023 dhe 2024 në Prokurorinë e Shkupit kanë punuar në kundërshtim me rregulloren.
Mandati i Islam Abazit skadon më 8 nëntor. Lista përfundimtare e kandidatëve do të vërtetohet ditën e enjte ndërsa votimi do të bëhet më 28 tetor kur prokurorët publik nga i gjithë shteti me votim të fshehtë do të zgjedhin udhëheqësin e ri të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar./Alsat.mk.
The post Pesë kandidatë për të zëvendësuar Islam Abazin në Krim të Organizuar appeared first on Alsat.
