
Dje u arrestuan pesë persona nën dyshimet për ryshfet dhe ndikim të paligjshëm. I dyshuari kryesor dyshohet se ka premtuar para drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi që të nënshkruhej një marrëveshje për fonde IPARD, ndonëse kompania e tij nuk plotësonte kushtet. Tre ndërmjetës, përfshirë zyrtarë shtetërorë, dyshohet se kanë ndikuar në marrjen e vendimit të paligjshëm, ndërsa gjatë bastisjeve u sekuestruan para të konsiderueshme, transmeton Portalb.mk.
“Dje (06.11.2025) në pasdite, policë nga Departamenti për shtypjen e krimit të organizuar dhe të krimit të rëndë pranë Ministrisë së Brendshme nën udhëheqjen e një prokurori publik nga Prokuroria Publike për NKOK dhe hetuesve nga Qendra Hetimore e Prokurorisë Publike NKOK privuan nga liria pesë persona për shkak të ekzistencës së dyshimit të bazuar se i dyshuari i parë Xh.F. (77) ka kryer veprën penale të vazhdueshme “dhënie ryshfeti” dhe veprën penale “dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, ndërsa tre persona A.F. (44), J.K. (35) dhe I.S. (57) si ndërmjetës kanë kryer veprën penale “marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, dhe D.D. (47) ka kryer veprën penale të vazhdueshme “pranim ryshfeti”, thuhet në njoftim.
I dyshuari i parë – drejtuesi i një personi juridik, nga fundi i shkurtit të këtij viti deri dje, duke përfituar nga e njëjta marrëdhënie e përhershme dhe të njëjtat mundësi, në disa raste, drejtpërdrejt dhe përmes ndërmjetësve, i premtoi dhuratë – fonde me vlerë të konsiderueshme drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Republikës së Maqedonisë. Tre të dyshuarit e tjerë, njëri prej të cilëve është nëpunës tatimor në DAP Shkup dhe një nëpunës shtetëror i punësuar në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, duke përfituar nga ndikimi i tyre real dhe pozita zyrtare, kërkuan dhe inkurajuan drejtorin e agjencisë të kryente një veprim zyrtar që nuk i lejohej ta kryente. Gjegjësisht, edhe pse personi juridik i të dyshuarit të parë nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara në Thirrjen Publike nr. 01/24 për dorëzimin e kërkesave për përdorimin e fondeve nga Programi IPARD për masën 3, drejtori, pasi mori premtimin për një dhuratë me vlerë të konsiderueshme në shumën prej 50.000 eurosh, dje nënshkroi një marrëveshje për përdorimin e fondeve financiare me personin juridik dhe në këtë mënyrë mori një pjesë të fondeve në shumën prej 400 eurosh, të cilat u gjetën dhe u sekuestruan gjatë bastisjes.
Gjatë bastisjeve të kryera në lokacione të tjera, u gjetën fonde me vlerë të konsiderueshme.

