Gazetar: Miki Trajkovski
Njoftimet se nga 1 shtatori mund të vijë deri te mbyllja e 8 shkollave fillore periferike në Strugë dhe rrethinë, kanë shkaktuar reagime të mëdha në opinion. Plani i Komunës së Strugës parashikon mbylljen edhe të 4 shkollave fillore qendrore në fshatrat Jabllanicë, Tatesh, Podgorcë dhe Dërasllajcë, si dhe bashkimin e tyre me shkolla të tjera. Plani paraprakisht duhet të marrë miratimin e Këshillit të Komunës.
“VLEN është kundër kësaj iniciative. Derisa të mos kemi një studim dhe analizë konkrete të bërë nga Ministria e Arsimit dhe komuna, nuk mund të pranojmë një propozim të tillë pa efikasitet konkret. Ne ende nuk e dimë se cili do të jetë efikasiteti i kësaj iniciative dhe për këtë arsye jemi kundër që ajo të realizohet, për momentin”, deklaroi Bekim Qoku – nënkryetar i VLEN-it.
- VLEN është kundër mbylljes së shkollave
- Nuk e dimë cili do të jetë efikasiteti
Nga Lidhja Shqiptare thonë se arsimi nuk duhet të trajtohet përmes logjikës së kursimeve financiare. Ata kërkojnë që çdo vendim i tillë të jetë transparent.
“Ne si këshilltarë komunalë nga Lidhja Shqiptare kërkojmë që para institucioneve komunale të prezantohen të gjitha analizat financiare, pedagogjike dhe demografike mbi të cilat bazohet ky propozim. Gjithashtu, kërkojmë garanci të plota dhe të qarta për transport të sigurt të nxënësve, ruajtjen e cilësisë së arsimit dhe procesit mësimor, si dhe mbrojtjen e vendeve të punës për kuadrin arsimor”, tha Premtime Zylali Deliaj – këshilltare nga Lidhja Shqiptare
Nga BDI thonë se në këtë proces duhet të përfshihen ekspertë, të cilët do të kryejnë një analizë të detajuar të gjendjes, ndërsa komuna të dalë me zgjidhje afatshkurtra dhe afatgjata.
“Është e domosdoshme të sigurohet mbështetja dhe pjesëmarrja aktive e prindërve, mësimdhënësve dhe popullatës lokale në të gjitha vendbanimet që preken drejtpërdrejt nga këto ndryshime. Pa harmoni, koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet popullatës lokale, prindërve dhe stafit mësimor, ne vlerësojmë se një proces i tillë vështirë mund të realizohet me sukses”,
Nga LSDM thonë se nuk do të mbështesin një vendim që do të nënkuptonte mbylljen e shkollave dhe zbrazjen e zonave rurale. Ndërkaq Mite Stefoski, kryetar i Këshillit të Komunës së Strugës nga VMRO-DPMNE, thotë se po shqyrtohen të gjitha mundësitë për zbatimin e këtij procesi.
“Për momentin, nuk është parashikuar asnjë mbyllje shkollash, as nuk e kërkon procesi këtë në këtë fazë. Reduktimi i tepricës së paraleleve më shumë i prek shkollat qendrore sesa ato periferike. Pikërisht aty është teprica e paraleleve. Nëse ndonjë fazë e ardhshme do të përfshijë edhe mbylljen e shkollave periferike, kjo do të vendoset më vonë”, tha Mite Stefoski, kryetar i Këshillit të Komunës së Strugës.
- Për momentin nuk parashikohet mbyllje shkollash
Xhemi Hajredini nga Sektori për Arsim në Komunën e Strugës thotë se mbi këtë plan është punuar tashmë prej disa muajsh dhe se, nëse ai nuk realizohet, komunën e pret kolaps financiar./Alsat.mk.
The post Plani për mbylljen e disa shkollave në rajonin e Strugës ka nxitur reagime të forta politike appeared first on Alsat.
