Të shtunën e kaluar, “Mundo Deportivo” raportoi se Michel Platini, ish-presidenti i UEFA-s, mund të rikthehet në skenën e parë të futbollit botëror, pasi ai dhe ish-presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, u shpallën të pafajshëm në rastin e njohur si “FIFA gate”, për mashtrim të mundshëm dhe keqpërdorim fondesh të institucionit më të lartë të futbollit botëror, me shuma që arrinin në 16 milionë euro.
Duke ndjekur këtë linjë të “Mundo Deportivo”, media greke “Superplus” raporton se një grup i konsiderueshëm prej 55 federatash kombëtare, pjesë e UEFA-s aktualisht, janë të gatshme ta zëvendësojnë presidentin aktual, sllovenin Alexander Ceferin. Një lëvizje në të cilën Michel Platini dhe ish-futbollisti Andriy Shevchenko, i cili është president i Federatës së Futbollit të Ukrainës, mund të jenë figurat udhëheqëse të kësaj alternative.
Sipas të njëjtit informacion, ata vetë nuk kanë mundësinë ta organizojnë një nismë të tillë kaq të madhe, ndaj i janë drejtuar Takis Baltakos, ish-president i Federatës Greke të Futbollit (EPO), për ta udhëhequr këtë lëvizje. Ai thuhet se është kontaktuar në Bruksel, ku banon aktualisht.
Kundërshtarët e sllovenit besojnë se Baltakos mund të jetë personi i duhur për shkak të përfshirjes së tij në politikë, pasi ka përvojë me fushatat elektorale dhe gjithashtu ka qëndrim kritik ndaj drejtimit aktual të UEFA-s. Sipas të njëjtit burim, procesi pritet të nisë në shtator. Duhet kujtuar se procesi i ardhshëm zgjedhor në UEFA është planifikuar për marsin e vitit 2027. Mbetet të shihet nëse ky grup do të veprojë menjëherë apo do të presë deri në zgjedhjet e ardhshme.
Siç u përmend edhe të shtunën e kaluar në “Mundo Deportivo”, mbetet për t’u parë edhe se si do ta presë FIFA, që drejtohet nga Gianni Infantino, këtë lëvizje të mundshme dhe rikthimin në skenë të Michel Platini. Duhet kujtuar se Platini dhe Infantino kanë qenë bashkë në UEFA. Infantino ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s nga viti 2009, dy vite pas emërimit të Platini, deri në vitin 2016, kur mori drejtimin e FIFA-s.
Ishte pikërisht Alexander Ceferin, ai që mori drejtimin e UEFA-s në vitin 2016, pasi një vit më parë Michel Platini u largua nga detyra. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në muajt në vijim, pasi ky skenar i ri mund të sjellë përmbysje të madhe në konfederatën aktuale europiane të futbollit, që është nën varësinë e FIFA-s.
The post Platini dhe Shevchenko, mocion mosbesimi ndaj Ceferin për presidencën e UEFA-s? appeared first on Telesport.
