Sipas të dhënave të publikuara të hënën nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës, në qershor, Treguesi i Menaxherëve të Blerjeve (PMI) për sektorin e prodhimit i Kinës arriti në 49.7, 0.2 pikë më shumë se në maj, duke pasur rritje për dy muaj me radhë. Ndërkohë, PMI-ja për sektorët joprodhues ishte 50.5, duke u rritur 0.2 pikë në krahasim me majin. 

 Ndër 21 sektorët e anketuar, 11 prej tyre kanë pasur rritje, katër më shumë në krahasim me majin, çka tregon një rimëkëmbje ekonomike në shkallë më të gjerë.  Zhao Qinghe, statistikani i lartë në Zyrën Kombëtare të Statistikave, vuri në dukje që rimëkëmbja e të dhënave tregon se prodhimi është përshpejtuar dhe kërkesa e tregut është përmirësuar. 

  He Hui, nënkryetari i Federatës së Logjistikës dhe Blerjeve të Kinës, tha se me zbatimin e një sërë politikash e masash, gjendja e ofertës dhe kërkesës në sektorin e prodhimit po përmirësohet gradualisht. Ai theksoi se rimëkëmbja e treguesit të porosive të reja mbi pragun prej 50 shfaq qëndrueshmërinë e rritjes së ekonomisë kineze. 

  Njëkohësisht, sektorët joprodhues ruajtën rritjen e qëndrueshme në qershor, me treguesin e aktivitetit të biznesit që u rrit në 50.5. PMI-ja e sektorit të shërbimeve ra pak, duke arritur 50.1, ndërsa PMI-ja e sektorit të ndërtimit pati një rimëkëmbje të dukshme, duke u rritur me 1.8 pikë e duke arritur në 52.8, çka tregon një aktivitet të fortë infrastrukturor.