Muhamedi eci për tetë orë bashkë me babanë e tij drejt një pike shpërndarjeje mielli në Gaza, në përpjekje për të siguruar ushqim për familjen. Pas orësh pritjeje, arritën të marrin vetëm dy kilogramë miell. Por, në rrugën e kthimit, Muhamedi u sulmua nga grabitës që ia morën edhe atë pak miell që kishte siguruar me mund.
I tronditur dhe i përlotur, ai iu drejtua një gazetari, duke i kërkuar që t’ia përcjellë botës mesazhin e tij për realitetin tragjik të shpërndarjes së ndihmave në Gaza:
“Ne në Gaza nuk kemi miell. Çdo 24 orë na thonë se kamionët janë duke ardhur, por kur shkojmë, nuk gjejmë asgjë. Po hamë rërë. Nuk kemi ushqim. Një kulaç bukë kushton 20 sikla (5.7 dollarë) dhe është shumë i vogël. Ju lutemi, keni mëshirë për ne.”
Nëna e Muhamedit thotë se përdor bukë të vjetër e të tharë, që zakonisht shërben si ushqim për kafshët. Ajo e lag me ujë dhe e pjek disa herë, që të mund të ushqejë fëmijët e saj.
Situata është aq e rëndë, sa njerëzit janë duke u përleshur dhe madje rrezikojnë jetën për një qese me miell.
“Pesë apo gjashtë persona sulmojnë njëri-tjetrin nga uria. Janë shndërruar në përbindësha, sepse thjesht duan të hanë,” thotë ajo.
Muhamedi dhe familja e tij janë vetëm një ndër dhjetëra mijëra palestinezë të uritur, që përballen çdo ditë me pasiguri ekstreme ushqimore dhe dhunë, ndërsa përpiqen të mbijetojnë në një realitet ku edhe buka është luks.
