Gjatë një aksioni policor është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e marihuanës, gjegjësisht rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1,300 shishe me vaj kanabisi. Ndërkaq, në disa subjekte në rajonin lindor janë marrë mbi 31 ton marihuanë dhe material bimor.

“Në një subjekt në Shkup janë gjetur dhe sekuestruar rreth nëntë ton marihuanë dhe mbi 1,300 shishe me vaj kanabisi (produkt i gjysmë-përpunuar). Ndërsa nga disa subjekte në rajonin lindor janë sekuestruar mbi 31 ton marihuanë dhe material bimor”, tha Goce Andreeski.

Kontrollet janë kryer në koordinim me Doganat dhe Komisionin e Ministrisë së Shëndetësisë për kontrollin e bimëve me përdorim farmaceutik. Hetimet synojnë të përcaktojnë nëse sasia e konfiskuar kohët e fundit në Serbi ka origjinë nga vendi ynë.

“Duke pasur parasysh se një nga personat e dyshuar dhe të arrestuar në Serbi është pjesë e strukturës pronësore të subjektit në Shkup, janë kryer kontrolle dhe verifikime të detajuara të sasisë së marijuanës të gjetur në subjekt dhe të gjithë dokumentacionit që është zbuluar në ambientet e tij”, deklaroi Andreeski.

Pas kontrolleve dhe verifikimeve, janë konstatuar shkelje të shumta dhe mos-përputhje të sasive të marihuanës që posedonte dhe prodhonte subjekti. Për këtë arsye, sasia e konfiskuar është marrë plotësisht.

Policia do të vazhdojë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa pas përfundimit të aksionit, publikisht do të informojë qytetarët për të gjitha detajet.