Politika të reja fiskale për të nxitur zhvillimin ekonomik

Kina do të prezantojë në të ardhmen e afërt një paketë masash të shënjeshtruara të politikës fiskale pro rritjes për të nxitur ekonominë, tha Ministri i Financave i vendit Lan Fo’an, në një konferencë shtypi të zhvilluar të shtunën në Pekin.

Foto nga VCG

Paketa përfshin rritjen njëherësh të tavanit/kufizimit të borxhit, në një shkallë relativisht të madhe në shuma të përgjithshme, për të zëvendësuar borxhet ekzistuese të fshehura të qeverive vendore, si edhe për të ndihmuar në zbutjen e rreziqeve të tyre të borxhit.

Ministri tha se masat kundërciklike të ekonomisë, përfshijnë jo vetëm politikat që po kalojnë tashmë procedurat të vendimmarrjes, por edhe mjete të tjera politike, si emetimi i bonove dhe rritja e deficitit.

Mbetet një hapësirë e konsiderueshme në financat qendrore të Kinës për të emetuar bono dhe për të zgjeruar deficitin, tha ai.

Për tregun e pronave të paluajtshme, Ministri Lan tha se vendi do të aplikojë një sërë mjetesh të politikës fiskale, duke përfshirë obligacionet për qëllime speciale të qeverive lokale, fonde të veçanta dhe politika tatimore, për të ndihmuar në stabilizimin e këtij sektori.

Kina do të emetojë edhe bono të posaçme thesari, për të mbështetur bankat e mëdha tregtare shtetërore në rimbushjen e nivelit 1 të kapitalit bazë të tyre. Sipas Lanit, këto masa kanë për qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së bankave për të përballuar rreziqet dhe të ngritur kapacitetin e tyre në lëshimin e kredive, për t’i shërbyer më mirë zhvillimit të ekonomisë reale.