Polonia planifikon t’ia japë pjesën e mbetur të aeroplanëve luftarakë MiG-29, të epokës sovjetike, Ukrainës në këmbim të teknologjisë për dronët, tha Ministria e Mbrojtjes më 10 dhjetor.
Polonia ka zëvendësuar aeroplanët e saj të vjetër sovjetikë me avionë F-16 të prodhimit amerikan dhe FA-50, të prodhimit të Koresë së Jugut, dhe pret dorëzimin e 32 aeroplanëve F-35 që ka porositur në SHBA.
“MiG-ët po arrijnë fundin e shërbimit të tyre, që do të thotë se do të tërhiqen nga ushtria polake dhe ne po diskutojmë për transferimin e tyre në palën ukrainase”, tha ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, për radion publike polake, Trojka.
Sipas Kosiniak-Kamysz, ky këmbim mund të përfshijë po ashtu “transferimin e teknologjive, për shembull në fushën e dronëve dhe raketave nga Ukraina në Poloni”.
Polonia, e cila i ka dhënë shumë nga avionët e saj MiG-29 Ukrainës pasi Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj, ende ka edhe 14 avionë të tillë, sipas raporteve mediale.
“Bisedimet po vazhdojnë, dhe jemi të vendosur t’i finalizojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Kosiniak-Kamysz.
Ai shtoi se Polonia po përfiton tashmë nga ekspertiza ukrainase në trajnimin ushtarak për dronë.
“Ukrainasit janë më të mirët sa i përket dronëve në mesin e të gjitha vendeve me të cilat kemi marrëdhënie të mira”.
Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, është ndër mbështetëset më të fuqishme të Ukrainës, duke shërbyer si qendër për dërgesat ushtarake dhe humanitare drejt Kievit.
