Në një lartësi prej 1160 metrash mbi nivelin e detit, fshati Prapadisht i Kërçovës dukej si një nga ato vendbanime të destinuara për braktisje të plotë. Mbyllja e shkollës para tre vitesh e konfirmoi këtë frikë. Por realiteti sot është ndryshe.
Vitet e fundit, Prapadishti ka shenjat e para të ringjalljes. Fermerë që punojnë tokën, shtëpi të reja që ngrihen dhe shtëpiza vikendi që tërheqin banorë nga qyteti. Zhvillimi është i papritur, por i dukshëm.
Megjithatë, gjallëria e re nuk i ka fshirë problemet e vjetra. Infrastruktura mbetet e dobët, furnizimi me ujë i pasigurt dhe kushtet elementare larg standardeve bazë.
Kryetar i bashkësisë lokale të fshatit Lulzim Limani shton se kanë bërë dy kërkesa drejt kryetarit të Komunës për vazhdimin e projekteve të nisura nga udhëheqësia paraprake, por siç thonë kanë hasur në vesh të shurdhër.
Fshati përballet edhe me mungesën e ujit për shkak të nivelit të lartësisë, por edhe me rrjetin e vjetër dhe të dobët të energjisë elektrike.
Rruga kryesore që lidh shumë fshatra të kësaj ane, mes tjerash edhe fshatin Qafë, nuk është riparuar asnjëherë që në kohën e ish-Jugosllavisë.
