Një nga faqet më të lavdishme të futbollit të femrave në Shqipëri rrezikon të mbyllet në mënyrën më të dhimbshme. Vllaznia e vajzave ka mbetur pa president pak ditë nga nisja e edicionit të ri. Presidenti Lazër Matija, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, konfirmoi njoftoi largimin e tij nga posti. Megjithatë, ai deklaroi se do të mbështesë çdo investitor të ri që do të marrë përsipër vazhdimin e projektit.
“Është gjynah që ky klub të shuhet. Duhet të kishim bërë lobimin e duhur për t’u mbështetur ky ekip”, – u shpreh Matija, duke e cilësuar situatën si një humbje për të gjithë dashamirësit e Vllaznisë. Dhe bëhet fjalë për një klub që ka ndërtuar histori të jashtëzakonshme: 13 herë kampione e Shqipërisë, dominuese absolute në futbollin e femrave dhe përfaqësuese dinjitoze e vendit në Europë.
Vllaznia ka arritur deri në grupet e Champions League, duke sjellë në Shkodër gjigantë si Real Madrid, PSG, Chelsea, Juventus dhe Inter. “Kemi investuar, punuar dhe kemi fituar kampionatin me diferencë të madhe, – tha Matija, duke shtuar: – Do ta mbështes gjithmonë Vllazninë”.

Por sot pyetja është më e rëndë se çdo rezultat: si mund të lejohet të shuhet një klub që e çoi futbollin shqiptar të femrave në nivelet më të larta europiane? Lazer Matija bën edhe akuza: “Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit edhe nga ndeshja e djemve në Elbasan kam disa fjalë. Është marrë për keq prononcimi im për atë që ndodhi atje, sikur unë jam kundër strategjisë së FSHF-së, por nuk është e vërtetë.
Unë para se të jem kryetar i shoqatës rajonale, jam president i Vllaznisë së femrave. Nga njëra anë për mua është lehtësim të largohem nga ky pozicion, por ana tjetër është edhe një arsyetim i federatës që personi që të jetë në krye të jetë figurinë që të marrë udhëzime. Duke menduar shumë gjëra, unë mund të kërkoj edhe zgjedhje, edhe votëbesimin e shoqatës dhe jam i bindur që e marr 100%, e kam bërë për t’i shërbyer qytetit, se kam bërë për një rrogë, të kontribuoj deri në momentin e zgjedhjeve, të jetë një person që të punojë edhe më mirë se sa unë.
Ka disa kohë që jam prononcuar për disa gjëra në futbollin shqiptar, nuk jam tranzit në futboll, kam 30 vjet në krye këtu duke kontribuar, i kam shërbyer këtij sporti. Kam qenë kritik, por edhe mund të kisha heshtur. I kam shprehur në forma të ndryshme, kemi pasur debate në lidhje me “Final Four” që ishte një dështim.

Anila Basha nuk ishte një portret që mund të ishte fytyra e femrave, e kam kundërshtuar shumë. Kam pasur kundërshtime që mos shkrihen klubet e futbollit të femrave. Kam parë strategji të gabuar, futbolli i vajzave në Shkodër ka qenë i persekutuar, kanë marrë futbolliste në kombëtare dhe i kanë lënë në stol.
Kam pasur debate për arbitrimin në futbollin e vajzave, kanë dashur të na heqin kampionatin, por nuk ia kanë dalë falë punës dhe sakrificës. Do këtë shkodranë të ndershëm që e duan Vllazninë dhe do ta çojnë edhe më lart. Kemi shumë gjëra për të thënë por për momentin janë të mjaftueshme. Mesazhin mund ta marrin të tjerët si të duan, nuk mund të luftohet një njeri që punon. Pse tërhiqem unë, Vllaznia do të jetojë”.
The post Presidenti i Vllaznisë jep dorëheqjen, largohet me akuza të forta ndaj “diktaturës” së FSHF-së appeared first on Telesport.
