Presidenti italian Mattarella, vizitë në Kinë

Presidenti italian Sergio Mattarella ka nisur një vizitë zyrtare në Kinë .
Në takimin me presidentin kinez Xi Jinping , u theksua se sivjet është 20-vjetori i vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës e Italisë dhe, me këtë rast, të dyja palët publikuan një plan veprimi për të forcuar partneritetin e gjithanshëm strategjik dhe ranë dakord të ruajnë frymën e lashtë të Rrugës së Mëndafshit e të nxitin hyrjen e marrëdhënieve dypalëshe në një etapë të re zhvillimi.

Kreu i shtetit kinez theksoi se respekti i ndërsjellë, besimi reciprok dhe përfitimet e përbashkëta duhet të jenë gjithmonë tipari themelor më dallues i marrëdhënieve Kinë-Itali. Të dyja palët duhet t’i shfrytëzojnë plotësisht rolin e Komitetit Ndërqeveritar Kinë-Itali dhe të mekanizmave të dialogut në fusha të ndryshme, të forcojnë shkëmbimet, të konsolidojnë besimin reciprok, të vazhdojnë të mirëkuptojnë e të mbështesin interesat thelbësorë dhe shqetësimet kryesore të njëra-tjetrës dhe të bëhen partnere strategjike që mbështesin njëra-tjetrën. Pala kineze është e gatshme të zgjerojë importet e produkteve italiane të cilësisë së lartë, të mbështesë investimet e ndërsjella midis sipërmarrjeve të të dy vendeve dhe të vazhdojë të nxisë bashkëpunimin në shkencë e teknologji, mbrojtjen e mjedisit, energjinë e pastër, fluturimet hapësinore dhe fusha të tjera.

Nga ana e tij, Mattarella tha se bota e sotme po kalon ndryshime të thella dhe shoqëria njerëzore duhet të forcojë solidaritetin dhe ndihmën e të ndërsjellë për të arritur bashkëjetesën harmonike. Italia dhe Kina duhet të thellojnë më tej shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit, mësimdhënies së gjuhës dhe binjakëzimin e vendeve të trashëgimisë kulturore, në mënyrë që të japin kontribute të reja në nxitjen e shkëmbimeve dhe mësimit të ndërsjellë midis qytetërimeve lindore e perëndimore dhe nxitjen e përparimit të qytetërimit njerëzor,” theksoi ai. Më tej presidenti italian u shpreh se vendi i tij i përmbahet me vendosmëri parimit të “Një Kine”, e konsideron gjithmonë Kinën si një partnere të rëndësishme bashkëpunimi .