Në gjithsej 3.474 vendvotime në vend, sot në rrethin e parë të zgjedhjeve të teta lokale kanë të drejtë vote 1.832.415 qytetarë.
Një ditë më parë, të drejtën e votës e ushtruan 2.162 të burgosur, personat në arrest shtëpiak, 8.848 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe 442 banorë të shtëpive të të moshuarve.
Për zgjedhjet lokale nuk zhvillohet votim në diasporë, por shtetasit që punojnë ose jetojnë përkohësisht jashtë vendit, nëse udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut, mund ta ushtrojnë të drejtën e votës.
Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00, ndërsa pas mbylljes së tyre do të mund të votojnë vetëm ata që në atë moment ndodhen brenda objektit.
Kush ka të drejtë vote?
Të drejtë vote ka çdo person i regjistruar në Listën Zgjedhore, që posedon letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme – përfshirë edhe dokumente identifikimi që kanë skaduar në periudhën nga 9 gushti (dita e shpalljes së zgjedhjeve) deri më 19 tetor (dita e votimit).
Votimi kryhet personalish. Pas mbërritjes në vendvotim, qytetarit i kontrollohen dokumentet e identifikimit dhe nënshkruhet në ekstraktin e Listës Zgjedhore. Më pas, një anëtar i këshillit zgjedhor i dorëzon fletën e votimit të vulosur.
Secili votues voton vetëm një herë, pavarësisht se në të njëjtën ditë votohet për kryetar komune dhe këshill komunal. Në Shkup votohet edhe për kryetarin e qytetit dhe për kryetarët e komunave që janë pjesë e tij, si dhe për këshillat përkatës.
Votimi zhvillohet në mënyrë të fshehtë, ndërsa identifikimi i votuesve bëhet përmes pajisjeve biometrike të njohura si “fingerprint” (shenja gishti), të cilat u përdorën për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Procedura e votimit
Sipas udhëzimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), votuesi duhet të paraqitet në mënyrë të njëjtë me fotografinë në dokumentin e identifikimit. Përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e akredituar mund ta ndjekin nga afër procesin e verifikimit të identitetit.
Nëse votuesi nuk figuron në listën zgjedhore, këshilli zgjedhor e udhëzon të kontaktojë zyrën rajonale të KSHZ-së ose të kontrollojë në ueb-faqen www.sec.mk/uvid-vo-izbirachki-spisok/ për të parë nëse dhe ku është i regjistruar.
Votuesit analfabetë ose ata me pengesa fizike vendosin shenjen e gishtit të treguesit të djathtë në vendin e nënshkrimit. Votuesi që refuzon të nënshkruhet nuk lejohet të votojë.
Votimi kryhet pas paravanit, duke u rrethuar numri i kandidatit me stilolaps me bojë blu. Në rast gabimi, votuesi nuk merr fletë të re votimi. Fleta e palosur vendoset në kutine e votimit dhe nuk lejohet që votuesi të largohet nga vendvotimi me të.
Në çdo paravan lejohet vetëm një votues, përveç rasteve kur kërkohet ndihmë. Për personat me aftësi të kufizuara, këshilli zgjedhor duhet t’u mundësojë hyrjen dhe ushtrimin e të drejtës së votës. Nëse ata nuk kanë shoqërues, ndihma u ofrohet nga persona të rastësishëm brenda vendvotimit.
Ndalesat dhe rregullat
Votimi familjar, në grup ose në emër të një tjetri është rreptësisht i ndaluar. Shkelja e fshehtësisë së votës përbën vepër penale, pasi Kushtetuta garanton të drejtën e fshehtësisë së votimit. Anëtarët e këshillave zgjedhore janë të detyruar të parandalojnë çdo tentativë për manipulim.
Për pengim të procesit zgjedhor, blerje votash, shkatërrim të materialeve zgjedhore apo mashtrim elektoral, parashikohen dënime sipas ligjit.
Votimi përfundon në ora 19:00. Në rast se rendi prishet, mund të ketë ndërprerje të përkohshme derisa të rikthehet normaliteti. Po ashtu, procesi mund të ndërpritet për shkak të motiveve të jashtëzakonshme, si moti i keq apo mungesa e sigurimit policor.
Gjatë ditës së votimit ndalohet përdorimi i telefonave, kamerave ose mjeteve të tjera për fotografim të fletës së votimit. Personat që shkelin këtë rregull mund të largohen nga vendvotimi.
Në vendvotim ndalohet hyrja me armë, përveç pjesëtarëve të policisë, të cilët mund të ndërhyjnë vetëm në rast të shkeljes serioze të rendit.
Numërimi dhe rezultatet
Pas mbylljes së votimit, këshillat zgjedhorë brenda pesë orëve dorëzojnë procesverbalet dhe materialet zgjedhore në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ). Këto komisione i përmbledhin rezultatet dhe i përcjellin në KSHZ.
KSHZ publikon rezultatet e para elektronike në mënyrë të njëpasnjëshme, ndërsa rezultatet përfundimtare nga procesverbalet e KKZ-ve brenda 12 orëve pas përfundimit të votimit.
Rezultatet zyrtare shpallen brenda 24 orëve nga dita kur ato bëhen përfundimtare.
Ankesat dhe procedurat ligjore
Sipas Kodit Zgjedhor, çdo subjekt politik që merr pjesë në zgjedhje mund të parashtrojë ankesë në KSHZ për mënyrën e zhvillimit të procesit të votimit ose numërimit brenda 48 orëve pas mbylljes së votimit.
KSHZ ka detyrimin që, nëse është e nevojshme, të verifikojë faktet përmes dëshmive, dokumenteve, dëshmitarëve apo ekspertizave dhe të marrë vendim brenda 72 orëve nga pranimi i ankesës.
Kundër vendimit të KSHZ-së, pala ankuese mund të ngrejë padi në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve, e cila duhet të vendosë brenda 48 orëve.
Votuesit që mendojnë se u është shkelur e drejta e votës mund të paraqesin ankesë në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve brenda 12 orëve.
Për votimin jashtë vendit, ankesa mund të dorëzohet drejtë në KSHZ brenda 24 orëve, personalisht ose përmes përfaqësuesit të autorizuar.
Organet përkatëse janë të detyruara të vendosin brenda 2 deri në 4 orëve, ndërsa Gjykata Administrative duhet të vendosë në afat prej 12 deri në 24 orësh, sipas rastit.
Gjykata Administrative shqyrton ankesat në seancë publike, me pesë gjyqtarë të zgjedhur me short, duke njoftuar paraprakisht opinionin publik, KSHZ-në dhe Gazetën Zyrtare.
Nëse në rrethin e parë nuk zgjidhet asnjë kandidat, rrethi i dytë i zgjedhjeve mbahet pas 14 ditësh, konkretisht më 2 nëntor.