Në emër të studentëve, një grup deputetësh ka përpiluar një projekt-rezolutë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
20 nënshkrimet janë të deputetëve opozitarë – Frontit Europian, Aleancës për Shqiptarët, deputetit të komunitetit turk Iljas dhe atij shqiptar në radhët e LSDM-së Bytyqi. Teksti i është dorëzuar Kuvendit, që deputetët ta shqyrtojnë dhe sipas vlerësimit të tyre, ta mbështesin.
“Projekt-rezoluta është e thjeshtë në përmbajtje dhe në qëllim: ajo kërkon zbatimin e Kushtetutës dhe të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, dhe përmes tyre mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Të njëjtën e kanë nënshkruar të gjithë deputetët shqiptarë të opozitës, ndërsa presim dhe kërkojmë që asaj t’i bashkohen edhe deputetët e shumicës qeveritare dhe deputetët nga te gjitha partitë dhe etnitë në parlament”, tha Mevlan Ademi.
E çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në shqip rihapi sërish përplasjet politike mes pushtetit e opozitës. Kjo pasi mbrëmë kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë në Ora 24 tha se Qeveria nuk ka asnjë problem me përdorimin e gjuhëve, por theksoi se lidhur me kërkesat që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, duhet të merret parasysh mendimi i Komisioni i Venecias, i cili kërkon braktisjen e dygjuhësisë në sistemin gjyqësor, por gjithashtu të kihet kujdes edhe për llojet e akteve juridike. Se pse puna është këtu ku është, Mickoski fajin e sheh tek ata që e miratuan Ligjin për gjuhët që i kanë mashtruar shqiptarët.
“Ky është problem i trashëguar nga të njëjtit ata që ishin 20 vjet në Qeveri dhe nuk arritën të gjejnë mënyrë se si ta zgjidhin”, dekalroi Hristijan Mickoski.
Për këtë reagoi BDI, e cila ka qenë në pushtet kur është miratuar ligji për përdorimin e gjuhëve. Deklarata e Mickoskit se ky është “problem i trashëguar”, sipas integristëve, është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për moszbatimin e një të drejte që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe nga Ligji për përdorimin e gjuhëve.
“Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në RMV. Ky nuk është interpretim politik, por realitet kushtetues dhe ligjor që duhet të respektohet nga çdo institucion shtetëror. Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua për të garantuar barazinë gjuhësore dhe për të përforcuar karakterin multietnik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur këtë ligj si “problem” apo për të transferuar përgjegjësinë tek të tjerët nuk i shërbejnë as së vërtetës dhe as stabilitetit institucional të vendit:, tha BDI
Nga BDI përpunojnë duke thënë se Qeveria ka obligim të zbatojë ligjin, jo ta relativizojë atë përmes arsyetimeve politike dhe se çdo vonesë apo pengesë në realizimin e kësaj të drejte, sipas tyre, përbën hap prapa për barazinë dhe për standardet demokratike të shtetit.
