Ministria e Shëndetësisë thuajse përditë del me një njoftim, duke shpjeguar se pse ligji për mbrojtje nga duhani është i mirë. Në njoftimin e fundit shkruajnë se projektligji i ri parashikon masa për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe mbështetje për ndërprerjen e varësisë nga duhani. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, shpjegon se sistemi synon të ndihmojë duhanpirësit të heqin dorë nga duhani pa u stigmatizuar. Ligji parashikon obligime për zbatimin e programeve parandaluese, këshillime dhe edukime, si dhe mbështetje të gjithanshme gjatë procesit të largimit nga varësia. Aliu thekson se varësia nga nikotina është një problem shëndetësor publik dhe se parandalimi është më efektiv dhe më pak i kushtueshëm se trajtimi. Përveç kësaj, projektligji përcakton inspektoratet përgjegjëse, sanksionet për mosrespektim dhe rolin e autoriteteve lokale në zbatimin e tij./TV21