Gazetare: Ajnur Bafqari
“Katër ditë pas zjarrit në depon e mbetjeve të rrezikshme në Trubarevë, prokurorët për herë të parë dolën në terren për të hetuar shkaqet dhe rrethanat e zjarrit”, raporton Ajnur Bafqari, gazetare.
Në lokacion është bërë fotografim dhe incizim me dron, ndërsa siç njoftojnë nga Prokuroria përveç veprimeve lidhur me shkaqet e zjarrit, po ndërmerren veprime edhe lidhur me deponimin e mbetjeve në këtë lokacion.
“Duke pasur parasysh mbulimin me dhe të lokacionit për shkaqe të sigurisë, veprimet hetuese në terren janë vështirësuar. Me urdhër të prokurorit publik, lokacioni do të mbetet i siguruar edhe në periudhën në vazhdim për nevojat e procedurës. Atje do të vazhdojnë të bëhen matje shtesë të ndotjes nga ana e Ministrisë së Mjedisit, ndërsa në terren do të del edhe ekspert në fushën e ekologjisë“, thonë nga Prokuroria.
Po ashtu në vendin e ngjarjes, vazhdon të mbetet i stacionuar një ekip i zjarrfikësve, për shkak se siç njoftojnë autoritetet, kohë pas kohe paraqitet tym dhe ekziston rreziku për një ndezje të serishme. Ndërkohë banorët e zonës për rreth po përpiqen të rikthehen në normalitet, por frika nga pasojat e zjarrit në ajër, ujë e tokë, vazhdon të mbetet prezentë. Thonë se po i shmangin daljet pa nevojë, ujin për pije, kryesisht e blejnë, ndërsa për momentin nuk guxojnë të marrin as perimet që i kanë nëpër kopshte.
Në ambulancën lokale, është shtuar dukshëm numri i pacientëve që shkojnë për kontrolle. Mjekja, Holinda Serafimova, thotë se te pacientët vërehet shqetësim dhe frikë nga pasojat.
Ndërkohë oborri i shkollës së Trubarevës vazhdon të mbetet bosh, dyert janë të mbyllura, ndërsa ngjitur qëndron një njoftim, ku thuhet se me rekomandim të Inspektoratit të Mjedisit, mësimi deri të premten do të zhvillohet online. /Alsat.mk
The post Prokuroria doli në terren në Trubarevë, për të kryer hetime për djegien e depos me mbetje të rrezikshme appeared first on Alsat.
