Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e paraburgimit për këngëtarin Besart Kelmendi i njohur si Gjesti.

Këngëtari u ndalua të mërkurën nën dyshimin për “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Lajmin për kërkesën e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi- zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Seanca dëgjimore pritet të mbahet nesër në orën 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Policia të mërkurën konfirmoi arrestimin e Gjestit. Ndërkaq, Prokuroria njoftoi se ai u ndalua për 48 orë dhe dyshohet për tri vepra penale.

Sipas Prokurorisë, dyshohet se i njëjti ka kryer veprat penale: ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ sipas nenit 366 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale ‘’Kanosja’’ sipas nenit 181 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Asgjësim apo dëmtimi i pasurisë’’ në bazë të nenit 321 të KPRK-së.

“Personi i ndaluar është i njohur për opinionin publik si këngëtari Gjesti. Prokurori i Shtetit, në koordinim dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedural në lidhje me këtë rast”, thuhej në njoftim.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

The post Prokuroria kërkon paraburgim për Gjestin appeared first on Veriu.info.