Prokuroria nisi hetim ndaj disa personave lidhur me vrasjen e oficerit të ARM-së, Agim Muharemi pak ditë më parë në Batincë. Sipas organit të akuzës, në vrasjen e 50-vjeçarit të dyshuar janë 2 persona ndërsa po punohet në identifikimin edhe të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në vrasje. I dyshuari i parë, Musa Xhavit mbetet në arrati.

“Më 11 korrik, në fshatin Batincë, të dyshuarit së bashku dhe me marrëveshje paraprake, me paramendim ia kanë marrë jetën tani të ndjerit Agim Muaremi, duke e rrezikuar njëkohësisht edhe jetën e vajzës së tij. Në vendngjarje ata kanë mbërritur me një veturë “Opel Astra” e cila drejtohej nga i dyshuari i dytë, ndërsa i dyshuari i parë dhe edhe dy persona të panjohur për momentin kanë qenë pasagjerë. Me atë veturë ua kanë bllokuar rrugën automjetit “KIA Sorento” në të cilin ndodheshin të dëmtuarit”, deklaroi Prokuroria e Shkupit.

Sipas prokurorisë, i dyshuari i parë me pistoletë ka shtënë pesë plumba ndaj Agim Muharemit dhe vajzës së tij, duke i shkaktuar dy plagë me armë zjarri në kraharor dhe duke kërcënuar se do t’ia vrasë të gjithë familjen.

“Viktima ka arritur të dalë nga vetura me qëllim që të pengojë vrasjen apo rrëmbimin e vajzës së tij dhe është drejtuar nga sulmuesit, pas çka ata menjëherë janë futur në veturën e tyre dhe janë larguar. Urdhrat e dhëna nga prokurori publik deri më tani kanë rezultuar me identifikimin e personit që ishte pronar dhe drejtues i makinës. Ai është privuar nga liria dhe sot është paraqitur para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, ku prokurori publik ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Institucionet nuk zbardhin ende motivet e vrasjes por autori i dyshuar besohet se ka kërkuar për martesë vajzën e të ndjerit dhe është refuzuar. Nga prokuroria bëjnë të ditur se kërkimi për të dyshuarin e parë vazhdon, ndërsa prokurori publik ka dhënë urdhër për identifikimin edhe të personave të tjerë ende të panjohur të përfshirë në ngjarje. Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski ditë më parë tha se policia po punon për lokalizimin e autorit të vrasjes. Musa Xhavit, sipas informacioneve të Alsat tashmë ndodhet jashtë vendit. Xhavit, është i dyshuari edhe për vrasjen Abdyl Ibrahimit në Batincë të Shkupit më 1 korrik të vitit të kaluar. /Alsat.mk

The post Prokuroria nisi hetim ndaj disa personave lidhur me vrasjen e oficerit të ARM-së, Agim Muharemi appeared first on Alsat.