Dënime me burg deri në 15 vjet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprime të kundërligjshme në procedurat e prokurimit publik. Këto janë disa nga risitë që parashihen në projekt-Kodin e ri Penal, me të cilin propozohet ashpërsimi i dënimeve për korrupsionin dhe keqpërdorimin e mjeteve publike.

Ndryshimet e propozuara rikthejnë në vëmendje çështjen e përgjegjësisë penale të funksionarëve dhe personave zyrtarë, veçanërisht pas ndryshimeve të kontestuara ligjore të vitit 2023, me të cilat u ulën dënimet për disa vepra që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Sipas nenit të ri 460, i cili pritet ta zëvendësojë nenin aktual 353, për formën bazë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare propozohet dënim me burg prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

Në rastet kur përmes keqpërdorimit është përfituar pasuri me vlerë më të madhe ose është shkaktuar dëm më i madh material, dënimi parashihet të jetë nga një deri në tetë vjet burg. Ndërkaq, për rastet më të rënda, kur është realizuar përfitim i konsiderueshëm pasuror ose është shkaktuar dëm i konsiderueshëm, propozohet dënim prej katër deri në 15 vjet burg.

Një tjetër risi e rëndësishme është parashikimi i një vepre të veçantë penale për keqpërdorimet gjatë prokurimeve publike, koncesioneve dhe kontratave për partneritet publiko-privat.

Me nenin e propozuar 461, veprimet e kundërligjshme në këto procedura do të dënohen me burg nga një deri në pesë vjet, ndërsa në rastet kur shkaktohet dëm më i madh ose realizohet përfitim më i madh pasuror, dënimi mund të arrijë deri në dhjetë vjet burg.

Për format më të rënda të keqpërdorimeve në prokurimet publike, dënimi maksimal i propozuar është 15 vjet burg.

Përmes këtyre zgjidhjeve ligjore synohet të korrigjohen disa nga pasojat e ndryshimeve të Kodit Penal të vitit 2023, kur u fshi dispozita e veçantë që përfshinte keqpërdorimet në procedurat e prokurimit publik.

Nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur se zgjidhjet e reja ligjore synojnë luftë më efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimin e sigurisë juridike, si dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me standardet evropiane.

Projekt-Kodi Penal është publikuar në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER), ku qytetarët, ekspertët juridikë dhe publiku profesional mund të paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre.

Së bashku me projektligjin e ri për Procedurën Penale, dokumenti i është dërguar edhe Komisionit Evropian për mendim.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së ndjeshme të dënimeve për disa forma të keqpërdorimit, propozimet ende nuk kanë hyrë në fuqi. Ato duhet t’i nënshtrohen debatit publik dhe procedurave të mëtejshme ligjore, përpara se të mund të miratohen në Kuvend.

Publikimi i dy projektligjeve në ENER është konfirmuar sot, më 13 nëntor 2026, ndërsa në periudhën e ardhshme janë paralajmëruar edhe debate publike profesionale.