Me rreth 370 kamionë, transportuesit do të bllokojnë kalimet kufitare për trafik mallrash në të gjitha kalimet kufitare për dalje nga Maqedonia nesër në mesditë, ndërsa nga mesnata do të bllokojnë edhe terminalet për hyrje në vend.
Arsyeja për këtë veprim nga transportuesit, të organizuar përmes Shoqatës së Transportuesve “Makamtrans”, janë rregullat e reja të Bashkimit Evropian për hyrjen dhe daljen në zonën Shengen, sipas të cilave transportuesit e kamionëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të regjistrohen si turistë dhe do të mund të qëndrojnë në vendet e BE-së për një maksimum prej 90 ditësh në një periudhë prej 180 ditësh.
Bllokadat e protestës janë planifikuar të zgjasin shtatë ditë, me mundësinë e pezullimit ndërkohë nëse gjendet një zgjidhje për problemin.
“Në ditën e parë dhe të dytë, nëse autoriteteve kompetente të vendit tonë u dërgohet një sinjal se do të mbahen takime për të gjetur një zgjidhje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm vetes ose ekonomisë. Të gjithë do të përballemi, si rajon, me një numër të madh transportuesish që kërkojnë një zgjidhje, duke transferuar kapital në vende të tjera të BE-së, gjë që do të çonte në rrënimin e të gjithë ekonomisë”, tha Biljana Muratovska nga “Makamtrans”.
Nëse BE-ja nuk gjen një mënyrë për të kapërcyer problemin, kjo do të thotë një kolaps për ekonominë e Ballkanit Perëndimor, kostot e transportit do të rriten disa herë, dhe bashkë me to edhe çmimi i produkteve, paralajmërojnë transportuesit.
Sipas njoftimit për protestën, terminalet dhe korsitë e trafikut të kamionëve në pikat kufitare “Deve Bair”, “Dellçevë”, “Novo Selo”, “Dojran”, “Bogorodicë”, “Mexhitli”, “Qafëthanë”, “Bllacë” dhe “Bllato” do të bllokohen.
Megjithatë, siç informohet nga Ministria e Brendshme, ndërsa protesta është në vazhdim, nuk do të ketë ndërprerje, pra bllokim të lëvizjes së automjeteve të pasagjerëve, autobusëve dhe automjeteve që transportojnë ilaçe, bagëti, mallra të rrezikshme dhe dërgesa të tjera prioritare.
Protesta e kamionistëve është koordinuar me homologët e tyre nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, të cilët gjithashtu po bllokojnë pikat kufitare që të çojnë në zonën Shengen. Ata kanë gjithashtu mbështetjen e kamionistëve nga Shqipëria, Kosova dhe Turqia.
The post Protesta e kamionistëve kundër rregullave të reja të BE-së fillon nesër, kalimet kufitare do të bllokohen appeared first on Alsat.
