Gazetare: Ajnure Bafqari
Protesta e sotme e studentëve ngjalli reagime të shumta politike. Rrjeti u pushtua nga akuzat e ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës, ndërsa që të dyja palët mbështesin studentët. VLEN edhe pse premton, akoma po e mban pezull zgjidhjen për provimin e jurisprudencës. Bilall Kasami, një nga liderët e VLEN-it, tha se çështja do të zgjidhet dhe provimi i jurisprudencës, për herë të parë do të mbahet edhe në shqip, ndërsa zv.ministrja Kaltrina Zekolli akuzon për keqpërdorim të studentëve nga ana e BDI-së.
“Kërkesa e tyre është e drejtë dhe, siç ju kam premtuar edhe në takimin tonë të parë, këtë çështje do ta zgjidhim. Për herë të parë pas pavarësisë së shtetit Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe! Ndërsa elita milionere e ish-pushtetit, e cila tentoi të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore, sot dështoi keq. Ky popull i njeh mirë. Tinëzitë e tyre nuk kalojnë.”, deklaroi Bilall Kasami, VLEN.
“MARRE është mos me ua plotësu të drejtat në kohë, MARRE është me i keqpërdor për interesat e pangopur të përfitimit personal, MARRE është me vjedh e abuzu, MARRE është me lujt të pafajshmin, kur 2 dekada e tepër s’je kujtu për studentët”, tha Kaltrina Zekolli, VLEN.
Por sipas Bujar Osmanit të BDI-së mbrapa degradimit që po u bëhet shqiptarëve qëndrojnë emra dhe mbiemra konkret. Osmani akuzon se popullin shqiptar e kanë sjellë në këtë gjendje disa politikanë shqiptarë, në vetëm pak kohë.
“Nga njëra anë u ndjeva krenar. Krenar për një gjeneratë që nuk bën kompromis për dinjitetin e vet. Po në të njëjtën kohë u ndjeva edhe keq. Keq për ku e kanë sjellë disa politikanë shqiptarë këtë popull në pak vite. Dhe prapa këtij degradimi ka emra dhe mbiemra konkret”, theksoi
“Sot, kur studentët ngrihen për këtë të drejtë legjitime, pushteti mundohet ta relativizojë protestën, duke e etiketuar si politike dhe duke u fshehur pas justifikimeve të dobëta. E vërteta është e thjeshtë: kur cenohet një e drejtë, rezistenca është detyrim, jo zgjedhje”, thotë Ilir Hasani, BDI.
Studentët protestuan sot me kërkesën kryesore që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në shqip./Alsat.mk.
The post Protesta e sotme e studentëve ngjalli reagime të shumta politike appeared first on Alsat.
